Partia Demokratike e Kosovës nuk ka marrëveshje për të qeverisur në Prishtinë më Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Kështu ka deklaruar nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku. Ajo ka sqaruar se raportimet e bëra në lidhje me një marrëveshje të mundshme mes PDK-së e LDK-së për qeverisje në Komunën e Prishtinës janë të pavërteta.
Çitaku tha se nuk ka marrëveshje të koalicionit në Prishtinë, teksa theksoi se lajmet se Blerand Stavileci pritet të jetë nënkryetari i ri i kryeqytetit janë spekulime të pastra.
“Jo nuk ka marrëveshje në Prishtinë. Jo nuk është Blerandi nënkryetar i ardhshëm i Prishtinës. I kam parë lajmet kanë qenë të gjitha spekulime, spekulime të pastra. Nuk e di pse”, theksoi ato.
Tutje, Çitaku u shpreh se nuk është diskutuar as për marrëveshje në të ardhmen dhe sipas saj, nuk ka ndonjë vullnet të madh që në Prishtinë të ketë koalicion PDK-LDK.
“Jo vetëm që nuk është e vërtetë që Stavileci nuk do të jetë nënkryetar, por nuk kemi asnjë lloj marrëveshje me LDK-në, po e them shumë hapur. Nuk e kemi diskutuar as brenda kryesisë së PDK-së, as brenda kryesisë së degës. Nuk ka ndonjë vullnet të madh që të shkohet në koalicion. Jemi duke u marrë më shumë në këtë kohë me komunat ku kemi fituar ne”, tha Çitaku gjatë intervistës për Telegrafin.
Çitaku tha se as në Komunën e Gjilanit nuk kanë pranuar një ofertë për koalicion.
“Ne nuk kemi pranuar asnjë ofertë zyrtare nga kryetari i ri i Gjilanit. Nëse e marrim, do të ulemi ta diskutojmë. Ai është kryetar i zgjedhur i Gjilanit”, tha ajo.
Ndërkaq, në përgjithësi rezultatin e zgjedhjeve lokale e konsideron pozitiv për Partinë Demokratike të Kosovës.
Çitaku u shpreh se kanë ofruar kandidat profesionist dhe me integritet, gjë që e sheh si njërën ndër arsyet e këtij rezultati.