Apriori togfjalëshi reflekton ndikimin e ekonomisë së tregut të lirë në një terren konservator. Për ta saktësuar edhe më tepër: ndikimin e egër të kësaj ekonomie, në përmasa kaq dramatike, aq sa ka arritur ta komercializojë një nocion si ky, që i përkiste ekskluzivisht një domeni juridik – fetar islam. Literalisht “pizza hallall” nënkupton një ushqim që prejardhjen, gatimin dhe servimin e ka në një formë të lejuar, sipas këndvështrimit juridik fetar islam. Por përtej kësaj, prapashtesa “hallall” njëkohësisht shënjon edhe një perceptim të cekët të njeriut fetar mbi kulturën në përgjithësi dhe atë të ushqimit në veçanti. Pse?
Shkruan: Qerim Ondozi & Imer Topanica
Ka pizza hallall, restorante hallall, librari hallall dhe taksi hallall. Ndoshta në tregun e egër që e ofron ekonomia e lirë e tregut mund të gjesh edhe veshmbathje hallall, sheshe hallall, politikanë hallall, biseda hallall, xhami e hoxhallarë hallall, dhe poetë hallall.
Domethënë, nuk është e çuditshme nëse hasim artikuj të tillë që identifikohen me “hallall”, si një markë e veçantë, për ata që kërkojnë aversione artikujsh, për çdo version johallall.
Në një shoqëri liberale demokratike, muslimanët, duke dashur që të diferencohen kulturalisht nga pjesa tjetër e shoqërisë, mund ta kenë banalizuar skajshëm qëllimin.
Në një shoqëri me shumicë muslimane, sikurse kjo e jona, ku tradicionalisht i është kushtuar kujdes mënyrës së të ushqyerit dhe të stilit të jetës në përgjithësi, kuptohet, duke iu përmbajtur normave fetare, shtrohet pyetja e vetëkuptueshme: a ekziston vërtet nevoja që një produkt, a dyqan të veçohet si islam, apo si hallall?
Në Kosovë, ta zëmë, ka dyqane islame. Çka është dyqani islam? Islami as nuk blihet as nuk shitet. Por edhe produktet që shiten në këto dyqane “islame” (thonjëzat janë të domosdoshme), shpeshherë mëtojnë që islamin ta paraqesin si formë dhe jo si esencë. Forma është e përkufizueshme, esenca – pak më vështirë.
Në ndonjë shtet sekular, me shumicë jomsulimane, emërtimet hallall (bashkë me vulën hallall) mbase edhe kanë kuptim. Por për më tepër, në këto kontekste gjeografike, ato fitojnë ekskluzivitet. Ta zëmë, nëse shkon në një qytet evropianoperëndimor dhe në një varg restorantesh, gjen restorantin me ushqim hallall, gjasat janë të mëdha që ai të jetë më i shtrenjti në raport me të tjerët, sepse ofron ekskluzivitet. E ndërsa ti, si musliman, ke mundur të ushqehesh në krejt vargun e këtyre restoranteve të tjera, thjesht duke mos porositur ushqime që bien ndesh me parimet e besimit tënd dhe t’ia kalosh hallall.
T’i kthehemi Kosovës. Në një vend me shumicë muslimane prirja për të hapur librari hallall, pizza hallall, dyqane hallall, çajtore hallall, kafe hallall, mbjelltore flokësh hallall, e kështu me radhë, vetëm sa e rrisin hendekun ndërmjet atyre që e konsiderojnë veten muslimanë dhe atyre që pretendojnë se islami është i tyre. Po ashtu, kjo prirje çon edhe në getoizimin apo segregimin e grupeve të caktuara shoqërore, të cilat përpiqen ta privatizojnë islamin duke pretenduar – me aktivitetin e tyre ekonomiko-social, se vetëm kjo çka bëjnë ata është islame, hallall, dhe të tjerat nuk janë aq islame, nuk janë aq hallall.
Kështu krijohet një mur virtual i ndarjes ndërmjet “muslimanëve” dhe “të pafeve”. Kështu krijohet një mur virtual i mungesës së komunikimit dhe mirëkuptimit – një mur i cili është më zor të shembet a të kapërcehet, sesa një mur i vërtetë, sepse ky nuk shihet, madje mund të pretendohet (siç e bëjnë ca) se nuk ekziston fare, andaj s’ka çka, apo pse të shembet.
A ka nevojë për denominimin pizza hallall në një vend me shumicë muslimane? A i bën ky denominim pizzeritë e tjera në Kosovë janë johallall? A është ky denominim vetëm truk marketingu, apo vërtet ka standarde të cilat i veçojnë këta operatorë kundrejt operatorëve të tjerë? Cilat janë ato standarde që përmbushen për të fituar denominimin? A mundet secili në Kosovë të hapë një biznes hallall? Kush vendos çka është hallall? Pronari i dyqanit? Hoxha i mahallës?
Askush nuk e ka të drejtën ekskluzive mbi islamin. Asnjë organizatë a shitore nuk bën të quhet islame. Ajo mund të quhet shitore e muslimanëve, por assesi islame. Sepse me këtë privatizohet dhe përvetësohet nocioni i islamit si stil jetese.
Sido që të jetë, ky është vetëm një reflektim mbi një fenomen sociologjik, prandaj kuptohet, debati për të, nuk mund të mbyllet kaq lehtë.