Pas 13 ditëve bllokadë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, situata i është kthyer normalitetit, transmeton Kosova Post.
Marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, po vihet në zbatim.
Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht eksponentë të partisë në pushtet, e kanë cilësuar si sukses këtë akt, ndryshe nga opozita, e cila përkundër kritikave, e ka mbështetur aksionin dhe vënien e masës së reciprocitetit.
Protestuesit serbë, pranë të cilëve kanë qëndruar edhe politikanë nga Lista Serbe, janë “shkulur” nga vendi me gjithë tendat dhe kamionët e vendosur për ditë të tëra.
Thirrjet nacionaliste “Serbi, Serbi!”, ka qenë “klithma” e fundit nga këta protestues.
Marrëveshja, siç ka qarkulluar nëpër media, parasheh zbatimin e këtyre pikave:
“-Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.
– Më datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.
– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut.”/KosovaPost/