“Për mua, personat lokalë gjithmonë kanë qenë ata që dijnë se qysh jetohet në komunitetin tim. Gjithmonë ka ekzistuar lidhja midis personit prapa ekranit dhe llojit të raportimit. Unë nuk po kërkoj medium për të ditë se çka po ndodh në botë, por po kërkoj medium për të parë se çka po ndodh në rrugën matanë”. Kështu i ka përshkruar lajmet lokale dhe raportimin e tyre Christine Portela, drejtoreshë e lajmeve në Univision.
Shkruan: Qerim Ondozi
Në Kosovë, në vorbullën e mediave online pothuajse nuk ka mbetur adresë (domain) për të regjistruar një medium që me emrin do të asoconte me Kosovën apo me lajmet shqip. Po të provosh të regjistrosh një portal duke provuar formulën Kosova + diçka, apo Lajmi + diçka, gjasat janë të mëdha që këta emra të jenë zënë.
E njëjta gjë ndodh edhe me mediat lokale. Pothuajse çdo qytezë i ka nja dhjetë portale të lajmeve me formulën Komuna + lajm, info, sot, etj. Por, ndryshe nga mediat që në emërtimin e tyre e kanë Kosovën dhe të cilat mbulojnë lajmet nacionale, mediat lokale – si pasojë e mungesës së stafit, përvojës, mjeteve financare – detyrohen të mos ndryshojnë shumë nga ato nacionale, për sa i takon përmbajtjes dhe udhëheqjes.
Dhe në vend se të shfrytëzojnë potencialin e tyre lokal dhe të raportojnë për ato që i interesojnë atij komuniteti, ato zgjedhin metodën më të lehtë – bëhen “pixhama portale”, “one man show” dhe vetëm i avancojnë shkathtësitë e tyre të copy-pasteit.
E cili është ky potencial? Cili është potenciali që ka mediumi lokal e të cilin nuk e ka media nacionale?
Po flasim për një varg potencialesh e këtu do të përmendim disa.
Ndryshe nga mediat nacionale të cilat raportojnë për tema të njëjta dhe nuk dallojnë nga njëri-tjetri (dallon vetëm kush e publikon lajmin i pari dhe ai lajm pastaj shtrihet gjithandej), mediat lokale mund të raportojnë për tema unike dhe origjinale. Ta zëmë, edhe pse një urë në një fshat të Prizrenit nuk është temë e interesit nacional, ajo mund të jetë temë shumë e rëndësishme për banorët e atij fshati por edhe për banorët e ndonjë fshati ngjitur që e shfyrtëzojnë atë urë. Kështu, mediumi lokal i shërben komunitetit – lexuesve të vet.
Mediat lokale kanë mundësinë më të madhe të krijojnë lexues besnikë (ndoshta edhe të kërkojnë mundësi të caktuara abonimi apo financimi). Derisa mediat nacionale mundohen të tërheqin lexues me karreme titujsh e temash (clickbait) – mediat lokale mund të përqendrohen në ndërtimin e audiencës e cila e ka interesin brenda komunës apo komunitetit. Ta zëmë, një medium lokal mund të synojë diasporën e atij lokaliteti dhe t’u ofrojë përmbajtje e cila mund të jetë në interes të tyre. Nëse një medium lokal shkruan për potencialin zhvillimor të një komune – dhe këtë e bën në mënyrë sistematike – kjo mund të zgjojë interesimin e diasporës që vjen nga ajo komunë dhe, pse jo, të nxisë investime për zhvillimin e atij lokaliteti.
Mediat lokale kanë mundësinë më të madhe të komunikojnë me lexuesin. Duke qenë se po flasim për media të cilat u shërbejnë audiencave më të vogla, më të përqendruara në komunitetin ku veprojnë, ato mund të zhvullojnë komunikim më të mirë dhe lexuesit të cilët, në njëfarë forme, mund të shndërrohen në gazetarë-qytetarë të cilët edhe nxisin edhe pasurojnë përmbajtjen e atij mediumi.
Lexuesit shpesh janë të lodhur nga përsëritja e lajmeve të njëjta, nga agjendat politike ditore, nga deklaratat bajate të politikanëve të caktuar të cilat, pa qenë nevojë as interes publik, shndërrohen në lajme, kopjohen dhe ngjiten nga media të tjera dhe zënë disa orë të hapësirës mediale nacionale. Mediat lokale këtu mund ta sfidojnë këtë praktikë duke ofruar diçka të re, diçka unike, diçka që gjithsesi do të zgjojë më shumë interesimin e publikut të komunitetit sesa ajo që jemi mësuar të shohim përditë.
Tani, në rastin e Kosovës, dhe meqenëse po u afrohemi zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen në tetor të këtij viti, mediat lokale kanë mundësi të shkëlqyer për të dalë në pah, për t’u veçuar nga të tjerêt.
Në parafushata dhe fushata zgjedhore, mediat luajnë rol të patjetërsueshëm dhe mediat lokale kanë fuqi më të madhe sesa që mendojnë. Ato mund të shfrytëzojnë kreativitetin dhe potencialin e tyre për të folur për gjërat që kanë shkuar mbrapsht në komunë, për premtimet e parealizuara katërvjeçare, për gjërat që nuk janë adresuar që nga paslufta, për problemet që nuk kërkojnë shumë punë por që kurrë nuk janë trajtuar…
Pastaj, kanë mundësinë të shtrijnë kreativitetin e tyre dhe të krijojnë profile të kandidatëve për kryetarë komune, kandidatëve për asamble komunale, të zhvillojnë intervista me ta, të bëjnë reportazhe dhe storie hulumtuese dhe, pse jo, të ngrisin vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e zgjedhjeve (lokale), për rëndësinë e pjesëmarrjes masive, për transparencë e demokraci.
Kjo gjithsesi kërkon punë, dhe gjithçka tingëllon se i shërben komunitetit dhe demokracisë – por secili e bën atë pyetjen: e çka fitoj unë këtu?
Për të prodhuar përmbajtje origjinale, për të punësuar staf, së paku minimal, dhe për t’u regjistuar si biznes që paguan tatime – nuk nevojitet investim i madh. Por, nëse e shfrytëzon momentumin e zgjedhjeve lokale dhe veçohesh si portal vërtet lokal, në afat të gjatë ky investim mund të të kthehet shumëfish.
Nëse dyshon – kthehu edhe një herë dhe lexoje shkrimin nga fillimi.