Cristiano Ronaldo u jep fund thashethemeve mbi të ardhmen e tij. Pavarësisht zërave që e shihnin larg Juventusit, portugezi ka mbërritur dje në Torino dhe mëngjesin e sotëm është paraqitur në qendrën stërvitore të klubit bardhezi.
Mediat torineze raportojnë se 5 herë fituesi i Topit të Artë ka mbërritur në “Continassa” rreth orës 8:30 dhe pritet që gjatë paradites të kryejë të gjithë testet e nevojshme fizike e mjekësore, për t’u vënë më pas nën urdhrat e Massimiliano Allegrit.
Ndërkohë po sot është parashikuar edhe një takim mes yllit portugez dhe trajnerit të rikthyer te bardhezinjtë, pasi pritet që të dy të qartësojnë gjithçka edhe për mënyrën se si do të bashkëpunojnë këtë sezon, duke qenë se dy vite më parë patën jo pak probleme mbi pikëpamjet për lojën.
Ky do të jetë sezoni i katërt dhe me shumë gjasa i fundit i portugezit me fanellën e Juventusit, pasi kontrata i skadon pikërisht verën e ardhshme dhe deri tani asnjë nga palët nuk ka shfaqur interes apo dëshirë për të rinovuar.
Madje u përfol gjatë edhe për një largim të Cristiano Ronaldos nga Juventusi që këtë verë, por Juventus refuzoi ta lërë të lirë dhe nga ana tjetër asnjë klub në Europë nuk tregoi gatishmëri të paguajë për kartonin e tij, ashtu si edhe për pagën e majme prej 31.5 milionë eurosh në sezon që përfiton te bardhezinjtë.
Në këto kushte duket se palët kanë vendosur të vazhdojnë bashkë edhe këtë sezon, për të respektuar kontratën, ndërsa verën e ardhshme Ronaldo do të largohet si lojtar i lirë, por mbetet për t’u parë nëse do të vijojë karrierën në nivele të larta në Europë, apo do të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./SS