Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq duke folur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ngjarjet e fundit në Kosovë tha se të gjithë tani janë të inatosur që Kurti ka bërë hapa të njëanshëm, dhe kësisoj në vend të normalizimit në Kosovë, kemi përshkallëzim.
“Prishtina është mësuar të jetë e përkëdhelura e Perëndimit dhe nuk është përballur me asnjë kërcënim deri më tani. Çfarë thanë amerikanët, nuk mund ta dëgjoni nga goja e evropianëve”, tha Daçiq, duke iu referuar anulimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe deklaratën e Hovenierit se do të suprizohej nëse tani do të kishte takime mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre amerikanë.
Shefi i diplomacisë serbe tha se do të dëshironte të shihte qëndrimet e vendeve evropiane në takimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në Strasburg, pasi që së fundi ata filluan procedurën e pranimit të Kosovës në atë organizatë.
Ai shtoi se disa vende kanë “standarde të dyfishta”, sepse për shembull, qëndrimi i Gjermanisë në lidhje me konfliktet e fundit nuk u dëgjua.
Sipas Daçiqit ironia është se Serbia ishte gjithmonë mirënjohëse ndaj KFOR-it, ushtarët italianë ruanin manastiret dhe atij i vjen keq veçanërisht që ndodhi një incident me forcat hungareze, duke qenë se Serbia dhe Hungaria kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe fajësoi komandën e KFOR-it për atë.
“Ne jemi të gatshëm ta mbrojmë popullin tonë nëse ka nevojë, por shpresojmë që të mos arrihet deri te kjo”, tha Daçiq.
Ai e quajti të papjekur kërkesën e opozitës që Kuvendi të diskutojë për Kosovën dhe shtoi se kjo është çështje shtetërore dhe mbrojtje e interesave kombëtare dhe se duhet unifikuar.