Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se pas vazhdimit të aksionit të Serbisë për tërheqjen e njohjes së Kosovës, do të rritet numri i shteteve që do të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, kanë raportuar mediet serbe.
“Vazhdimi i aksionit të tërheqjes së njohjes së Kosovës është një përgjigje logjike për faktin se Prishtina nuk e respekton marrëveshjen e Washingtonit. Ajo përgjigje i lëndon më së shumti ata. Jam i sigurt se të gjitha vendet perëndimore do ta dënojnë veprimin tonë për të lobuar për tërheqjen së njohjeve dhe askush nuk tha asnjë fjalë kundër kërkesës së Prishtinës për pranim në Këshillin e Evropës”, tha Daçiq.
Ai tha se veprimi i Beogradit “shkatërron konceptin e tyre se gjithçka ka marrë fund dhe se Serbia duhet vetëm të njohë Kosovën”.
“Asgjë nuk ka përfunduar, as Serbia nuk do ta njohë ‘Kosovën’. Situata ka ndryshuar në mënyrë drastike vitet e fundit, 22 vende e kanë tërhequr njohjen e Kosovës”, ka thënë Daçiq.
“Pas vazhdimit të aksionit tonë të tërheqjes së njohjeve, ky numër do të rritet, sepse rëndësia e parimit të integritetit territorial tani është në çmimin më të lartë në bashkësinë ndërkombëtare. Mendoj se ky parim vlen për Serbinë dhe integritetin e saj territorial”, tha kryetar i Kuvendit të Serbisë.
Ministri i Punëve të Jashtme Nikola Selakoviq pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare deklaroi se presidentit Aleksandar Vuçiq i ka dorëzuar sot nota nga katër shtetet që kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se Vuçiq do ta informojë opinionin e gjerë për cilat shtete bëhet fjalë kur ta sheh këtë të nevojshme.