Kryeparlamentari serb Ivica Daçiq tha sot se ka frikë nga presionet politike për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Daçiq duke folur për disa ligje të cilat sipas tij, Serbia po i harmonizon me Bashkimin Evropian, ka folur edhe për Kosovën, pasi parakusht për integrimin e Serbisë në BE, është arritja e një marrëveshjeje përfundimtare e cila përmendet gjithmonë.
Sidoqoftë, Daçiq vlerëson se presionet politike ndaj Serbisë lidhur me Kosovën “nuk kanë të bëjë me BE-në, aq sa ka të bëjë me vendet anëtare të BE-së”.
“Serbia po shkon drejt BE-së, është në interesin tonë të jemi anëtare e BE-së, por sigurisht që është në interesin tonë t’i mbrojmë interesat tona shtetërore dhe kombëtare dhe këtu s’ka asnjë kompromis në kuptimin që do ta njohim Kosovën apo diçka të tillë. Kjo është e papranueshme për ne”, tha Daçiq për TV Happy.
Sipas tij, ndryshimet në kushtetutën e Serbisë në fushën e drejtësisë po bëhen me rekomandimin e BE-së. Për këto ndryshime, është planifikuar mbajtja e një referendumi të dielën, më 16 janar.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar më herët se Qeveria nuk do të lejojë mbajtjen e këtij referendumi edhe në Kosovë.g.e.