Një grup qytetarësh janë përplasur fizikisht me disa punonjës të policisë në qytetin e Durrësit. Incidenti ka ndodhur mbrëmjen e 17 shtatorit në lagjen Nr.11 të qytetit bregdetar, në bulevardin kryesor.
Në pamjet e siguruara nga gazetari i ABC Leonidha Musai, shihet grupi i djemve që debatojnë dhe më pas edhe përplasen fizikisht me policët e patrullës.
Mësohet se shkak për përplasjen fizike mes policëve dhe disa qytetarëve është bërë thyerja e rregullave anti-covid. Patrulla e policisë u kërkoi djemve që ndodheshin jashtë pasi kishte kaluar ora policore që të shpërndaheshin, por ata refuzuan dhe nisën sharjet ndaj efektivëve.