Tashmë po luhet pjesa e parë e ndeshjes mes Kombëtares së Kosovës dhe Lituanisë, ndeshje kjo që po luhet në ‘Fadil Vokrri’, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Tifo-grupi i Kombëtares sonë ‘Dardanët’ ka shpalosur dy dedikime të veçanta.
Së pari për veteranin e luftës së Kosovës, Liman Musliun, i cili para pak ditësh humbi jetën.
“Luftëtarin dhe veteranin e UÇK-së, Liman Musliun, sonte e nderojmë me krenari. Përjetë falënderues ndaj veprës së tij gjatë kohës së luftës, ashtu sikurse të çdo njeriu që shporri me shkrepjet e veta të lirisë armikun nga kjo trevë. Mos të ishe ti nuk do të ishim ne, Liman. Lavdi!”, shkruhet në postimin e “Dardanëve”.
Tifozët e zjarrtë të Kombëtares sonë kanë vendosur edhe një tjetër pankartë në mbështetje të futbollistit Erjon Morina, i cili po lufton me jetën.
“Sigurisht se në epiqendër kemi për arsye tjera edhe futbollistin tonë të ri, Erjon Morina. Të Plotfuqishmit vazhdojmë t’i lutemi dhe t’i besojmë se sfida me të cilën po kalon do të përfundojë sa më shpejt. Dardanët në çdo formë qendrojnë në mbështetje dhe afër tij. Bëje Zot!”, shkruan faqja zyrtare e tifozëve ‘Dardanëve’./rtk