Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se SHBA-ja beson që asnjë vend nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë ndërkohë që ajo vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.
Të premten ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov.
Marrëveshja u nënshkrua ndërsa dy ministrat ndodheshin në Nju Jork për të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.