Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, se Kosova e ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit me aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e ka cilësuar si tentim për ta manipuluar opinionin botëror.
“Ne sot e kemi aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe ai (Vuçiq) menjëherë u mundua me manipulu opinionin botëror se Kosova po e shkel marrëveshjen e Uashingtonit, gjë që nuk është e vërtetë, sepse ajo ka pasur afat një vjeçar, pra i ka tejkaluar afatet kohore dhe është krejt legjitime anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës” tha Haradinaj në kk.
Tutje Haradinaj tha se për Kosovën është lajm i mirë përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës, teksa shtoi se vendi ka gjasa reale që të anëtarësohet në këtë organizatë.
“Sot është një lajm i mirë për Kosovën edhe pse është vetëm një nismë, se janë disa procedura, është Byroja e Këshillit të Evropës, është Këshilli i Ministrave, pastaj me 23 deri me 28 qershor nëse nuk gaboj janë seancat e Këshillit të Evropës ku do të hidhet në votim pro ose kundër, nëse i marrim dy të tretat ne pranohemi, kjo i bije se shumica e shteteve që e kanë njohur Kosovën janë shumicë, ose janë mbi dy të tretat në Këshill të Evropës, që i bije se gjasat janë reale që ne të jemi anëtarë”, tha Haradinaj.