Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, komentoi deklaratat e Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili tha se do të lobonte për njohje të reja për Kosovën, trasnmeton Kosova Post.
Vuçiq, tha se Turqia është një superfuqi dhe se Erdogan është një udhëheqës i madh, por që Kosova është e obliguar ta respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit deri më 1 shtator, e cila parashikon që nuk do të ketë njohje të reja.
“ Nëse ata ndërmarrin veprimin e njohjes, ne do të jemi gati. Turqia është një fuqi e madhe, por Serbia nuk është aq e vogël sa nuk do të përpiqet të kundërshtonte, sepse Serbia mbron të vetën. Kjo nuk është turke dhe nuk i përkiste Turqisë por Serbisë, ne kemi mbetur të luftojmë për vendin dhe popullin tonë. Ne nuk kemi një atdhe rezervë, kështu që do ta shohim. Erdogan është shumë i fuqishëm, ne nuk jemi dhe shpresoj se ai do ta zbusë pozicionin e tij, nëse nuk e zbut atë, ne do të luftojmë për vendin tonë. Dhe për Zotin, ju do ta shihni se ne nuk jemi aq të vegjël siç kam thënë edhe dikur”, tha Vuçiq, shkruan Novosti.
Kujtojmë se një nga pikat kryesore të Marrëveshjes së Uashingtonit ishte edhe zbatimi i moratoriumit njëvjeçar:
Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë../Kosova Post/