Deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, me rastin e shënimit të 24 vjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe në ish Jugosllavi, ka ngjallur reagime të shumta.
Së fundi ka reaguar edhe analisti i njohur amerikan, Edward Joseph, i cili ka komentuar deklaratën e ambasadorit Hill, duke thënë se e sheh si një veprim jo të mençur nga ana e tij.
Në një varg postimesh në rrjetin social Twitter, Joseph ka përmendur edhe tendencën e Serbisë për viktimizim dhe mos heqjen dorë nga e kaluara gjenocidale.
“Ambasadori Chris Hill shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e jetëve të serbëve gjatë luftërave të viteve 1990 dhe konkretisht në fushatën ajrore të NATO-s. A ishte e mençur të bëhej një gjë e tillë? Jo”, shkroi analisti amerikan.
Sipas tij, kjo nuk ishte e mençur për shkak se që nga momenti i vitit 2010 kur Parlamenti serb njohu në heshtje gjenocidin e kryer në Srebrenicë, Serbia ka ecur mbrapa në trajtimin e së kaluarës.
“… ndërsa demokracia e saj ka ecur prapa. Revizionizmi është thelbi i regjimit të Vuçiqit. Ashtu si Putini me rusët, Vuçiç inkurajon serbët të mendojnë për veten si viktima, jo si autorë. Për Beogradin, historia e fundit e Kosovës fillon në vitin 1999, me bombardimet e NATO-s, jo me 1989 me heqjen e autonomisë – dhe një dekadë represioni brutal”, ka shkruar më tej analisti Joseph.
Analisti amerikan thotë se askush nuk duhet të habitet meqë Vuçiq nuk e ndryshoi narrativen e viktimës edhe pasi zëvendëspresidenti i atëhershëm Biden shprehu ngushëllime në vitin 2016, duke përdorur të njëjtat fjalë si Hill.
Joseph thotë se askush nuk e di më mirë se ambasadori Hill pse diplomacia dështoi, për të cilën foli edhe vetë Hill, duke thënë se dështimi i diplomacisë sjell pasoja.
“Një diktator cinik serb mori pushtetin duke abuzuar me Kosovën, duke refuzuar të rivendoste qoftë edhe një formë modeste të autonomisë. Ironia: sot Beogradi kërkon një formë autonomie për serbët e Kosovës, pasi të njëjtën gjë e shuan edhe për shqiptarët”.
Ndonëse nuk është deklaratë e mençur, Joseph thotë se ambasadori Hill nuk është domosdoshmërisht gabim pse shprehu ngushëllime.