Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të qeverisë, me rastin e 100 ditëshit të parë në krye të ekzekutivit, ka folur edhe për liqenin e Ujmanit, me ç’rast ka nxitur reagime edhe nga Beogradi, shkruan Kosova Post.
Mediumi serb Telegraf.rs citon Kryeministrin Kurti të ketë thënë se liqeni është i Kosovës, ndërsa e ka komentuar raportin e ekspertëve amerikan, që ka të bëjë me studimin e fizibilitetit të liqenit.
“Pikëpamjet tona në lidhje me liqenin e Ujmanit janë të njëjta, natyrisht që mund të bëhen analiza dhe studime, por detyra jonë thotë që Liqeni i Ujmanit duhet të merret parasysh ashtu siç është, liqeni artificial i Kosovës në Kosovë” – citohet Kurti.
Kjo deklaratë e Kryeministrit, e ka nxitur të ashtuquajturin Drejtor i Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq të reagoi me një deklaratë, duke vlerësuar se Kurti po zotohet se e zotëron atë që është serbe.
“Është më se e qartë se Albin Kurti kultivon një fiksim të fortë me gjithçka serbe – kishat dhe manastiret tona, festat dhe historinë tonë kombëtare, ndaj fiksimit me veriun e Kosovës dhe Metohisë dhe Liqenin Gazivoda. Një marrëdhënie e tillë është e kuptueshme – kur nuk posedoni diçka tuajën, ju zotëroni gjërat e dikujt tjetër” – thuhet në reagim.
Ekspertët nga Kosova, në disa raste i kanë hedhur poshtë pretendimet e Serbisë për sa i përket pronësisë së liqenit artificial Ujmani, por kjo e fundit ka arritur ta fus në agjendën e bisedimeve edhe këtë çështje, në procesin e dialogut, para ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet./KosovaPost/