Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, duke komentuar deklaratën e ministrit kroat të mbrojtjes se janë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën në Transformimin e FSK-së, ka thënë se shqiptarët dhe kroatët janë “vëllezër të armëve”, transmeton Kosova Post.
“Për shumë vite dhe dekada ka pasur një koalicion midis separatistëve kroatë dhe shqiptarë nga ish-Jugosllavia. Armët u siguruan përmes këtyre kanaleve”, tha Daçiq në emisionin “Hit Tweet” në televizionin serb, TV Pink.
Ai shtoi se shumë politikanë dhe separatistë shqiptarë ishin në ushtrinë kroate, duke përmendur njërin nga ish-themeluesit e UÇK-së, Agim Çekun.
“Nuk është asgjë e re. Ata janë vëllezër në armë, ata ishin në çdo luftë, dhe në Luftën e Parë Botërore dhe në Luftën e Dytë Botërore. Ata ishin në anën e kundërt të shumicës së njerëzimit, por u mor si e mirëqenë. Nuk është marrë shumë për keq edhe kur luftuan kundër Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës”, theksoi Daçiq.
Kryetari i Kuvendit të Serbisë tha se në Luftën e Dytë Botërore, “regjimi shqiptar dhe regjimi kroat ishin në shërbim të Gjermanisë naziste”.
“Pra, është plotësisht e qartë për mua se ata janë vëllezër të armëve, unë thjesht nuk e di se çfarëju duhen tani për tani ato armë. A po flasim për armë sot, apo do të flasim për rrugë, turizëm, ndonjë të ardhme të përbashkët? Ky është një tregues se ata jetojnë në botën e tyre dhe se nuk iu vjen aspak keq për atë çfarë kanë bërë në të kaluarën”, tha Daçiq/ Kosova Post/