Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka folur për “Gazeta Blic” në lidhje me procesin që pritet të mbahet me 14 mars për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së.
I pyetur nëse ai personalisht ka ambicie për të shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së, Rugova u përgjigj kështu.
“Nuk është korrekte të them as po as jo, krejt delegatët e Kuvendit kanë të drejtë të shpallin kandidaturën”, tha Rugova.
Tutje ai tha se me 14 mars do të mbahet Kuvendi dhe aty vendoset gjithçka me votë të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të ri.
“Na e kemi shpallë Kuvendin me datën 14 mars, dhe deri në këtë datë shpallen edhe kandidaturat dhe Kuvendi vendos se kush do të jetë kryetari i ri i LDK-së”
I pyetur nëse po diktohet nga grupe të caktuara se kush do të zgjedhet kryetar i ri i LDK-së, Haki Rugova mohoi kategorikisht diçka të tillë.
“Jo absolutisht nuk është e vërtetë, ne jemi marrë vesh dje në Kryesi që do të jetë proces i lirshëm, krejt demokratik dhe pa imponime” tha Haki Rugova.
Pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit me një rezultat tepër të thellë nga dy vendet e para, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dha dorëhqjen nga të gjitha funksionet në parti.
Pas dorëheqjes së Mustafës, Lidhja Demokratike e Kosovës shpalli zgjedhjet e brendshme të cilat pritet të mbahen me 14 mars.
Gazeta Blic nga burime të saj brenda LDK-së ka marrë vesh se Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Kujtim Shala janë tre kandidatët me mundësinë më të madhe për ta marrë nën drejtim LDK-në.
“Lutfi Haziri shihet se ndër kandidatët që ka gjasa të mëdha ta marrë drejtimin e LDK-së, për shkak se ka ndikim në strukturat aktuale të LDK-së. Me gjasa shumë të mëdha, shihet edhe Lumir Abdixhiku, ndoshta jo për shkak që ka mbështetje shumë të madhe nga strukturat partiake, por për shkak se ka dalë mjaft i votuar në zgjedhje, dhe për faktin se ka mbështetje nga elektorati i LDK-së. Dhe emri i tretë favorit, shihet ai i Kujtim Shalës. Ish- nënkryetari i Kuvendit, gëzon mbështetje qoftë në elektorat, qoftë në strukturat e partisë, dhe nga një pjesë e votuesve të LDK-së, shihet si lider i mundshëm i partisë”, thonë burime brenda LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit u rendit në vendin e tretë me 13.08% të votave.