Ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delavy, ka thënë se është shumë e rëndësishme që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka kujtuar Beogradit dhe Prishtinës se NATO ka forca të konsiderueshme paqeruajtëse në Kosovë.
Diplomati me përvojë, i cili shërbeu si ambasador në Prishtinë nga mesi i vitit 2015 deri në mesin e vitit 2018, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se është e rëndësishme që Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut ia përcolli Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se është i gatshëm të dërgojë më shumë trupa për të mbështetur misionin e KFOR-it – nëse është e nevojshme.
A mund të kontribuojë rezultati i bisedimeve në de-përshkallëzimin e tensioneve, veçanërisht në veri të Kosovës?
Unë sigurisht shpresoj kështu. Shumë varet nga veprimet e Beogradit – i cili e ka vënë veten në një pozicion për të kontrolluar tensionet. Fatkeqësisht, duket se Beogradi përfiton nga brenda duke shkaktuar tensione në Kosovë.
Sipas mendimit tuaj, çfarë hapash duhet të ndërmarrin Beogradi dhe Prishtina dhe liderët e tyre për të ulur tensionet?
Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës nëse dëshiron të bëhet anëtare e vërtetë e familjes evropiane. Nëse Serbia do ta bënte këtë, unë jam i sigurt se Kosova do të përgjigjej në një farë mënyre dhe do të kontribuonte për paqen rajonale, si dhe zhvillimin ekonomik dhe politik.
Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të vazhdojë në Bruksel pas një pauze që zgjati më shumë se një vit. Bisedimeve u paraprinë me tensione lidhur me vendimet e qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse të qytetarëve të Serbisë. Këto vendime duhet të hyjnë në fuqi më 1 shtator. A shihni një mënyrë për ta kapërcyer atë mosmarrëveshje dhe si?
Të dyja vendet duhet të zbatojnë marrëveshjen e targave të negociuar me ndihmën e BE-së.