Policia e Kosovës, përmes në komunikate për opinon ka demantuar një lajm të një mediumi serb që spekulonte se gjoja në Bërnjak është paraqitur një situatë dramatike, ku thuhej se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person dhe KFOR e ka parandaluar incidentin.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, thuhet në komunikatën e policisë.
Policia thotë se një informacion i tillë, i pavërtetë dhe tendencioz ka për qëllim dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe plotësimin e ambicieve të orientuara nga politikat e ndryshme nga jashtë.
“Referuar informacioneve zyrtare, të verifikuara mirë dhe saktë nga terreni, një rast i tillë nuk ka ndodhur fare, jo vetëm në pikën kufitare në Bërnjak por as edhe në ndonjë lokacion apo pikë tjetër kufitare, andaj kjo është vetëm një informatë e pavërtetë dhe tendencioze”.
Policia e Kosovës zotohet se do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.