KEDS njofton se ditëve të fundit, për shkak të pakujdesisë dhe papërgjegjësisë së disa personave të caktuar, nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë kanë ndodhur disa vatra zjarri dhe se në disa raste janë djegur edhe asetet elektroenergjetike të kësaj kompanie, çka raportohet se ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për një numër të caktuar konsumatorësh të afektuar, përcjell KosovaPost.
Me anë të një postimi në Facebook, bëhet e ditur se ekipet e KEDS-it kanë intervenuar në të gjitha rastet për ta rikthyer gjendjen në normalitet dhe se këto ekipe janë të mobilizuara që në raste të tilla të intervenojnë kudo që asetet elektroenergjetike preken nga zjarret.
“KEDS-i apelon tek të gjithë qytetarët tanë që të kenë kujdes të shtuar e të mos shkaktojnë zjarre qëllimshëm ose paqëllimshëm, sepse, në raste të tilla, përveç dëmeve në asetet elektroenergjetike, konsumatorët e afektuar nga to mbesin edhe pa furnizim me energji elektrike”, thuhet tutje në postimin e KEDS-it.