Gramos Agusholli, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë thirrje për ta ndihmuar studentin kosovar Besfort Shala, i cili është pranuar në Universitetin e Oksfordit në Angli, shkruan Kosova Post.
“Mbrëmë pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me Besfort Shalën, studentin kosovar që është pranuar në Universitetin e Oksfordit, për t’i ndjekur studimet e magjistraturës në matematikë. Kostoja e studimeve të tij arrin shifrën prej 32 mije eurosh, ndërsa shpenzimet e jetesës në kryeqytetin britanik shkojnë deri në 12 mijë euro” – ka vënë në dukje Agusholli.
Më tej deputeti ka sqaruar se Shala, përkatësisht familja e tij, nuk ka mundësi t’i mbulojë shpenzimet, prandaj ka nevojë edhe për përkrahje:
“Në pamundësi që familja t’ia mbuloi shpenzimet, ai ka nevojë për mbështetjen e të gjithë neve.
Ende nuk ka bazë ligjore për ndihmë nga shteti, e po shpresoj që kjo të jetë arsye shtesë që në të ardhmen taksat tona të shkojnë si bursë për të rinjtë si Besforti.
Ai do të jetë ambasador i Kosovës në njërin nga universitetet më elitare në botë. Në fundamentet e shteteve të fuqishme është shkenca dhe shkencëtarët, e Besforti është i tillë.”/KosovaPost/