Kosova sot ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin Evropës.
Aplikimin e ka dorëzuar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila tha se sot është një kapitull i ri për Kosovën.
E, aplikimin e ka konfirmuar edhe Këshilli i Evropës, i cili ka thënë se tashmë ai po i transmetohet Komitetit të Ministrave.
“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i transmetohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, ka konfirmuar Këshilli i Evropës.
Por, çfarë do të thotë kjo për Kosovën dhe sa janë shanset që Kosova të bëhet anëtare e KE-së?
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur deputeti i VV-së, Agon Batusha, njëherësh anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane.
Ai këtë e ka quajtur ngjarje të rëndësishme në diplomaci dhe forcim të shtetësisë së Kosovës.
“Sot, është dorëzuar aplikimi zyrtar për antarësim në Këshill të Evropës. Është një ngjarje shumë e rëndësishme në diplomaci, në forcim të shtetësisë së Kosovës, por mbi gjitha ky aplikim ridëshmon që Kosova është e përkushtuar dhe e patundur në avancimin e demokracisë, të drejtave civile, barazisë dhe lirisë”, ka thënë ai.
Batusha shpjegon se çka përfiton Kosova duke u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.
“Me tu bërë anëtarë, së pari bëjmë edhe një hap gjigant drejt konsolidimit të pranisë e njohjes ndërkombëtare për Kosovën, por mbi gjitha qytetarët tanë do të jenë ata që do përfitojnë më së shumti, përmes të drejtës për t’iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut për rastet kur ju shkelen të drejtat dhe liritë që janë mishëruar në Kartën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo më pas do të ketë impakt edhe në përmirsimin e sistemit gjyqësor e prokurorial të Kosovës, përmes kërkesës së vazhdueshme që do të bëhen për vendime të bazuara dhe cilësore”, ka vlerësuar deputeti.
Ai më pas tregon dhe procedurat, ku thotë se kërkesa për aplikim do të shqyrtohet nga organet e Këshillit.
“Aplikimi për antarësim apo kërkesa, do të shqyrtohen në organet e Këshillit, ku më të rëndësishmit apo ata qy vendosin janë përfaqësuesit e shteteve anëtare dhe asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës. Me shtetet që na kanë njohur dhe grupet parlamentare që përfaqësohen në asamble, ne kemi shumicën e nevojshme për antarësim”, ka potencuar Agon Batusha për Gazeta Blic.
Ai shprehet optimist se anëtarësimi i Kosovës në KE do të ndodhë më shpejt se sa mendohet e për këtë rendit arsyet, por si pengesë sheh Kodin Civil.
“Mendoj që kërkesa jonë do të shqyrtohet në afatet optimale dhe antarësimi i Kosovës do jetë më i shpejt se sa mendohet sepse Kosova ka të inkorporuar në Kushtetutën e saj Kartën e të Drejtave të Njeriut si një parakusht që duhet të plotësojë secili shtet. Rrjedhimisht ne kemi transpozuar në ligjet tona dhe në këtë pikë nuk presim shqetësime. Po ashtu, sa i përket lirive të pakicave, shteti ynë është model për demokracitë perëndimore sepse kemi marrë dhe kemi zbatuar praktikat më të mira evropiane, madje më shumë e më gjerë se sa vetë shtetet e BE-së. Kam përshtypjen se Kodi Civil mund të jetë një pengesë, për arsye se është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës dhe ku mishërohen e kodifikohen të gjitha liritë, të drejtat dhe detyrimet e shetasve, e që fatkeqësisht Kosova mbetet shteti i vetëm demokratik në botë që nuk e ka këtë dokument ligjor”, është shprehur deputeti.
Sipas tij, tani është momenti më i mirë për t’i nisur procedurat për anëtarësim dhe se kjo po bëhet në koordinim me aleatët në Evropë dhe SHBA-të.
“Pra, nuk ka moment më të mirë se sa tani, që Kosova të fillojë procedurën e antarësimit dhe këtë po e bëjmë me përkushtim, në koordinim mes institucioneve dhe posaçërisht në dakordancë e mbështetje të aleatëve tanë në Evropë, por edhe me SHBA-të”, ka deklaruar Batusha.