Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në një konferencë për medie kundërshtoi tentimin e komunës së Prishtinës për ta miratuar Planin Zhvillimor Komunal për tetë vitet e ardhshme.
Deputetja Hoxha tutje ka shtuar se dokumnenti i cili po tentohet të kalojë është një prej dy dokumenteve më të rëndësishme për Prishtinën.
“Qeverisja aktuale po dëshiron që Planin Zhvillimor Komunal, si dokument pararendës i Hartës Zonale, ta kalojë pa diskutime të gjera e të mirorganizuara publike, pa pjesëmarrje, pa transparencë”, tha ndër të tjera Hoxha.
Fjalimi i plotë:
“Të dashur qytetarë të Prishtinës,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Muajin e kaluar, Komuna e Prishtinës mbajti diskutim publik mbi hartimin dhe kompletimin e Planit Zhvillimor Komunal për Prishtinën. Në këtë diskutim katërorësh u prezantua Plani Zhvillimor Komunal (PZHK) për 8 vitet e ardhshme.
Pra, dy muaj para zgjedhjeve lokale, qeverisja aktuale e Prishtinës dëshiron ta miratojë një plan që e përcakton zhvillimin e Prishtinës për tetë vitet e ardhshme. Kjo është e papranueshme.
Dokumenti i cili po tentohet të kalojë është një prej dy dokumenteve më të rëndësishme për Prishtinën. Qeverisja aktuale po dëshiron që Planin Zhvillimor Komunal, si dokument pararendës i Hartës Zonale, ta kalojë pa diskutime të gjera e të mirorganizuara publike, pa pjesëmarrje, pa transparencë.
Kjo tregon që, përpos betonizimit të skajshëm të qytetit, po betonizohet edhe një mentalitet 20-vjeçar i qeverisjes në Prishtinë, ku qytetarët dhe nevojat e tyre nuk janë në qendër të diskutimit. Në qendër të diskutimit janë tokat, janë ndërtuesit, grupet e interesit dhe pazaret për koeficientë pronash.
Dy javë më parë kemi nisur një letër në drejtim të Asmblistëve të Komunëve të Prishtinës në lidhje me Planin Zhvillimor Komunal dhe nevojën për ta ndaluar atë.
Sot, përmes kësaj konference, meqenëse nuk kemi parë asnjë reagim, po ju drejtohem edhe një herë me një tjetër kërkesë.
Situata është serioze dhe ne duhet të kemi një qasje të tillë karshi saj. Planet për të ardhmen duhet të bëhen nga qeverisja e ardhshme që do të zgjidhet nga qytetarët, e jo nga qeverisja që shkon.
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal do të votohet për ta hedhur në diskutim publik PZHK-në.
Qeverisja e kujtdo qoftë nesër në Prishtinë, nuk ka asnjë kuptim nëse planin për 8 vitet e ardhshme të qytetit e bën dikush tjetër në ikje. Po e përsëris, ky plan që pritet të hidhet në diskutim publik e vulos “zhvillimin” e Prishtinës për 8 vitet e ardhshme.
Prandaj, bëjmë thirrje që të mos votohet për daljen në diskutim publik të Planit Zhvillimor Komunal.
Po e bëj një pyetje të thjeshtë për qytetarët e Prishtinës:
A e dini se është duke u miratuar një dokument që përcakton ndërtimin e çerdheve, rrugëve, ambulantave, parqeve e ndërtesave të mëdha për banim?
A është dikush i njoftuar që Plani Zhvillimor i Komunës është diskutuar dhe po përfundohet?
Nuk e besoj që qytetarët e dinë këtë gjë. Nuk e dinë sepse Komuna e Prishtinës i ka thirr të gjithë qytetarët në një seancë 4-orëshe për të diskutuar për këtë çështje.
Është jetike për Prishtinën dhe qytetarët e saj, që këtë proces ta ndalim këtu.
Ne duhet ta kemi një plan përmbajtësor, të planifikuar dhe askush të mos ketë arsyetim për qeverisjen e tij duke u thirrur në planet që i ka miratuar dikush tjetër në të kaluarën.
PZHK-në duhet ta miratoj një qeverisje në ardhje në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, që më pasë të shërbej njësi matëse e punës së saj. Kjo është rruga e drejtë përpara.
Mos deklarimi publik i partive për Planin Zhvillimor Komunal sot, nënkupton mbështetje për këtë proces. Nënkupton, po ashtu, se secili që e mbështetë këtë formë të vjetër të të vepruarit, nuk është i interesuar që të qeverisë me Prishtinën dhe për Prishtinën, por vetëm për pushtet dhe interesa të ngushta personale.
Prandaj, sot i bëjmë apel së pari administratës së tanishme të komunës si dhe të gjithë asambleistëve të Prishtinës që të ndalojë finalizimin e PZHK-së.
Nuk po e kërkojmë këtë për të bërë opozitë, as se duhet të jemi kundër kësaj administrate, por sepse duhet të jemi për Prishtinën dhe qytetarët e Prishtinës.
Katër orë debat me zyrtarë të thjeshtë për PZHK dy muaj para zgjedhjeve e që definojnë tetë vitet e ardhshme, është tallje dhe ofendim për qytetarë. Fundja, organizimi i tokave publike e private definohet me këtë plan dhe këmbimi e lëvizja e tokave në kohë kur janë shpallur zgjedhjet është e ndaluar me ligj.
Nuk mund ta lejojmë qeverinë të bëjë atë që bëri qeverisja e kaluar. Nuk duhet të lejojmë që qeverisja në shkuarje të përcaktojë zhvillimin e qytetit dhe qeverisjes së ardhshme t’ia lidhë duart e zhvillimit.
Është koha që të bëhemi bashkë pa dallim dhe të organizohemi në të mirë të qytetit ashtu siç u bëmë bashkë kundër projekteve të dëmshme si ai i Badovcit.
Jemi në një kohë kur duhet ta ndërrojmë kulturën e qeverisjes tonë. Qytetarët duhet të përfshihen dhe të angazhohen në çdo proces të vendimmarrjes e sidomos kur flasim për vendime kaq të mëdha e strategjike.
Prandaj, sot i ftojmë gjithë qytetarët dhe të gjithë grupet që e duan dhe angazhohen për Prishtinën që të organizohemi bashkë që ta ndalim procesin e votimit të Planit Zhvillimor Komunal të Prishtinës. Të bëhemi bashkë për të mirën e qytetit… sepse Prishtina na Bashkon!”.