Komisioni për Mjedis ka filluar bashkëpunimin me Kongresin Amerikan. Këtë e ka bërë të ditur deputetja e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Fitore Pacolli, ndërsa ka njoftuar për rrjedhën e takimit me kongresmenët amerikanë si dhe temat të cilat janë diskutuar, transmeton Kosova Post.
Pacolli, shkruan tutje se ishte e nderuar që të jetë protagoniste në bashkëbisedimin me kongresmenen, Tina Tutus dhe kongresistin amerikan republikan Adrian Smith.
“Me kongresmenen Dina Titus, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Komisionit për Infrastrukturë dhe Transport, diskutuam për politikat në infrastrukturë dhe transport. Znj. Titus na njoftoi për investimet amerikane në transportin publik dhe krijimin e vendeve të reja të punës përmes modernizimit të infrastrukturës. Diskutuam se si mund dashurinë që kanë amerikanët, por edhe shqiptarët, për veturat ta orientojmë tek transporti publik, ecja dhe çiklizmi. Diskutuam edhe sa e rëndësishme, duke parë angazhimin aktiv të Kinës në investimet infrastrukturore në rajon, është që Shtetet e Bashkuara të angazhohen fuqishëm ta ndihmojnë Kosovën dhe rajon në investimet infrastrukturore”, ka thënë Pacolli.
Tutja ka bërë të ditur deputetja Pacolli se me kongresmenin republikan, amerikan Smith, kanë diskutuar edhe për diversifikimin e burimeve të energjisë.
“Me kongresmenin Adrian Smith, i cili është në Komisionin për Buxhet dhe të Hyra si dhe angazhohet në çështjet energjisë dhe transportit, në bioderivate, diskutuam për diversifikimin e burimeve të energjisë, shfrytëzimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore”, thekson Pacolli.
Siç, thotë Pacolli, me të dy kongresistët amerikanë janë diskutuar tema që lidhen me mjedisin, më sakt për të ardhmen e Agjendës së Gjelbër.
“U dakorduam që takimet tona të jenë më të shpeshta në mënyrë që të mësojmë nga njëri tjetri dhe të bashkëpunojmë në realizimin e projekteve të rëndësishme”.
Në takim me kongresistët amerikanë përveç deputetes Fitore Pacolli, ku u diskutua bashkëpunimi Kosovë SHBA në fushën mjedisore, ishin edhe deputetët, anëtarë të komisionit , Milazim Salijaj dhe Ekrem Mustafa, transmeton Kosova Post.