Dështimet e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit, kanë bërë që për disa javë me radhë të ketë mungesë të seancave parlamentare. Opozita parlamentare po ia vesh fajet mazhorancës, transmeton Kosova Post.
Kryesuesi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se përgjegjësia bie mbi mazhorancën:
“…në këtë mazhorancë e cila është tregu joefikase në shumë drejtime, edhe në implementimin e agjendës legjislative e në anën tjetër edhe në degradimin e shumë institucioneve tona të pavarura.”
Me të njëjtën gjuhë e ka përshkruar situatën edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Abelard Tahiri:
“Edhe sot dështoi mbledhja e Kryesisë së Kuvendit… Në historinë e jetës parlamentare nuk mbahet mend që një shumicë të ketë mbi 61 vota, ndërsa tash pesë mbledhje të Kryesisë të dështojnë dhe para jush të kemi 37 pika të rendit të ditës të cilat duhet të shqyrtohen në Kuvend dhe si rrjedhojë kryetari i Kuvendit të merr vendim të thërret seancë të enjten në ora 10:00.”
Por Kryetari i Kuvendit Glauk Konjifca ka thënë se çështja e bojkotimit të Listës Serbe, po bëhet me qëllim:
“Ma merr mendja që Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne. Nuk pranojmë kurrfarë shantazhi, aq më keq që Lista Serbe është duke e bërë shantazhin në mënyrë publike, pa e fshehur, bile me një strategji të shfaqjes së këtij bojkoti.”
Megjithatë, kjo sipas tij, nuk do të tolerohet. Mbledhja e radhës pritet të mbahet këtë të enjte./KosovaPost/