Asociacioni Frankofon i Gjykatave Kushtetuese (ACCF), ka refuzuar pranimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në kongresin e mbajtur në Dakar të Senegalit.
Lajmin e ka konfirmuar në një përgjigje me shkrim për Telegrafin Veton Dula, drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Kushtetuese.
Ai tha se Kushtetuesja ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në ACCF fundvitin e kaluar dhe kjo është hera e parë e aplikimit në këtë asociacion.
“Në Kongresin e 9-të të ACCF-së, mbajtur në Dakar të Senegalit, më 1 qershor 2022, përkundër numrit të madh të votave të fituara, kërkesa e Gjykatës për anëtarësim megjithatë këtë herë nuk u mbështet nga numri i domosdoshëm i gjykatave anëtare, me një ndryshim minimal të votave për dhe kundër”, thuhet në përgjigjen e Dulës.
Për mospranimin e Kushtetueses së Kosovës kishte lobuar Gjykata Kushtetuese e Serbisë.
Sipas mediave në Serbi, në Asamblenë e Përgjithshme të ACCF-së të mbajtur në Dakar, Kushtetuesja e Serbisë ka paraqitur argumente se pse Kushtetuesja e Kosovës nuk i plotëson kushtet për pranim në Asociacion.
Shoqata e Gjykatave Kushtetuese Frankofone është krijuar më 1997 si iniciativë e Gjykatës Kushtetuese të Francës për të lidhur raportet mes anëtareve frëngjishtfolëse. Në vitin 2019 ndërroi emrin. Tani ka 50 anëtare nga Afrika, Evropa, Amerika e Azia. Asambleja e përgjithshme mbahet çdo tre vjet. Anëtare është edhe Shqipëria.