Udhëheqja e Bashkimit Afrikan dënoi ashpër përdorimin e forcës dhe dhunës nga policia në Sudan ndaj protestuesve që kërkojnë vendosjen e autoriteteve civile në vendin afrikan, transmeton Kosova Post.
Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, dënoi ashpër ndërhyrjet e policisë në të cilat u vranë dhjetëra demonstrues gjatë protestave në Khartoum dhe qytete të tjera sudaneze, shkruan AA.
“Ne u bëjmë thirrje forcave sudaneze të sigurisë që të mos përdorin forcën kundër civilëve të paarmatosur që mbajnë protesta duke shfrytëzuar të drejtat e tyre themelore politike. Është e nevojshme të ndiqen penalisht dhe të sanksionohen të gjithë ata që janë përgjegjës për viktimizimin e demonstruesve”, tha Mahamat.
Mahamati u bëri thirrje gjithashtu udhëheqësve ushtarakë sudanezë që të vendosin rend kushtetues dhe të mundësojnë tranzicion demokratik në vend.
Këshilli Ushtarak Sudanez shpalli gjendje të jashtëzakonshme në tetor dhe shpërndau Këshillin Sovran dhe qeverinë tranzicionale të vendit, duke arrestuar kryeministrin Abdalla Hamdok dhe një numër ministrash të qeverisë së tij civile.
Këshilli Ushtarak ka pezulluar gjithashtu disa dispozita të një dokumenti kushtetues që parashikon tranzicionin politik në Sudan.