Një prezantim dinjitoz nga Kosova e ka cilësuar diplomati Agim Nesho përfaqësimin e delegacionit kosovar në dialogun Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Brukselit dhe SHBA-së.
Në studion e “Absolut 4”, Nesho theksoi se ky takim ishte i limituar për shkak edhe të funksionimit të Serbisë si pjesë e agjendës ruse dhe nuk priteshin lëvizje të papritura nga palët.
“Kishte prezantim dinjtoz nga ana e delegacionit kosovar. Për Kurtin çështja e Kosovës është e mbyllur. Përpjekja për të fituar terren dhe zgjidhje në dëm të Kosovës ka koston e saj dhe nuk mund të bëhet nëse Kosova nuk e pranon këtë gjë. Ky takim i parë do të ishte i limituar se kemi një vektor tjetër të funksionimit të Serbisë që është pjesë e agjendës ruse që e ka përdorur për të zgjidhur konfliktet e ngrira që ka ajo me perëndimin. Në këtë kuptim delegacionet do të ishin të larguar dhe nuk do kishte lëvizje të papritur nga delegacioni serb ashtu si dhe qëndrimi parimor kosovar”.
Sipas diplomatit Nesho, Serbia respekton vendimin që do dalë mes dy udhëheqësve Biden-Putin, ndërsa Kosova sipas tij prezantoi në mënyrë dinjitoze çështjet dhe sidomos atë të asosacionit të komunave serbe.
“Serbia respekton vendimin që do dalë mes dy udhëheqësve Biden-Putin. Kosova kishte një prezantim dinjtoz të 4 çështjeve dhe sidomos e asosacionit kishte shumë rëndësi, se është kaluar me dy të tretat dhe Gjykata Kushtetuese nuk e ka kaluar. Ahtisari ka thënë nuk duhet të ketë asosacione”.