Kosova dhe Serbia në javën e fundit ashpërsuan retorikën politike me akuza dhe kundër akuza dhe ndaluan vizitat e ndërsjella të zyrtarëve qeveritarë, duke bërë kështu që të reagojë edhe Bashkimi Evropian.
MPJ: Petkoviq përdor gjuhë nxitëse
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, tha se “Petkoviq pavarësisht se në vazhdimësi ka dhënë garanci se do të përmbahet nga deklaratat nxitëse, në vizitat e tij të fundit në Kosovë, ai ka bërë deklarata provokuese”.
“Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin që do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tre vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit ‘universitetet’ në Mitrovicë të Veriut”, thanë zyrtare të qeverisë së Kosovës.
Petkoviq: Ndalimi i vizitës i “pakuptimtë”
Petar Petkoviq kishte planifikuar të qëndrojë dy ditë në Kosovë për të marrë pjesë në një manifestim në Manastirin e Deçanit. Ai tha se ndalimi për të hyrë në Kosovë është i “pakuptimtë”. “Kjo është hera e katërt që autoritetet në Prishtinë pengojnë vizitën e drejtorit të Zyrës për Kosovë e Metohi. Për këtë shtrohet pyetja nëse faktorët ndërkombëtarë janë të gatshëm të frenojnë Albin Kurtin në fushatën e tij destruktive kundër gjitha arritjeve të Marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë procesit të dialogut. Me çdo lëvizje që po bën, Albin Kurti na distancon nga dialogu”, thuhej në reagimin e zyrës së Petkoviqit.
Edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq u shpreh për ndalimin e vizitës së Petkoviqit duke kërkuar reagimin e BE-së. “Gjëja më e çuditshme në këtë situatë është se ky ndalim ndodh vetëm disa ditë pasi Bashkimi Evropian i bëri thirrje në mënyrë eksplicite Prishtinës që të respektojë marrëveshjet dhe ta lejojë Petkoviqin të vizitojë Kosovën”, u shpreh Brnabiq. Kryeministrja serbe i drejtohet Bashkimit Europian:”Unë pyes Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar, deri kur është kështu? Sa kohë mendoni se e toleroni këtë sjellje të Prishtinës?”