Barnatorja “Rexall” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Në ora 03:05, policia është njoftuar për një zjarr në një barnatore ,në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ Prishtinë. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Janë njoftuar edhe ekipet e zjarrfikësve të cilët kanë lokalizuar zjarrin”, ka thënë Ahmeti, njofton Klankosova.tv.
Më tej, bëhet e ditur se nga zjarri nuk ka persona të lënduar, ndërsa me rastin i cili është cilësuar si zjarrvënie po merret Njësiti i hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që e njëjta barnatore përfshihet nga flakët, pasi që një gjë e tillë kishte ndodhur edhe më 14 nëntor të vitit të kaluar..