Dijetari dhe studenti

Dijetari dhe studenti

Një dijetar e pyeti studentin e tij: Sa vite u bën që më shoqëron mua?

Studenti: 33 vite.

Dijetari: Çfarë ke mësuar prej meje gjatë kësaj kohe?

Studenti: Kam mësuar tetë gjëra.

Dijetari: Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!- tha i çuditur. Më kaloi jeta me ty ndërsa ti nuk ke mësuar më shumë se tetë gjëra.

Studenti: Nuk kam mësuar tjera dhe nuk dua të gënjejë.

Dijetari: Atëherë m’i thuaj ato tetë gjëra që i paske mësuar prej meje!

Studenti: -I- Vrojtova dhe shikova me kujdes në krijesa dhe pashë se secila prej tyre ka nga një të dashur, por kur të shkojë tek varrezat i dashuri ndahet prej tij/saj, kështu që unë të dashur caktova veprat e mira që kur të hyj në varr edhe ato të hyjnë me mua.

-II- Analizova thënien e Allahut: “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, Xhenneti është vendi i tij”. (en-Naziat, 40-41), kështu qe dhashë mund e derdha energji për ta larguar epshin në mënyrë që shpirti im të përqendrohet në adhurim për Allahun.

-III- Pashë se njerëzit që kishin gjëra të çmuara dhe me vlerë i ruanin ato që të mos humbnin. Pastaj meditova fjalën e Allahut: “Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është te Allahu është e përjetshme…”. (en-Nahl, 96), kështu që sa herë që në dorën time binte ndonjë e mirë e drejtoja kah Allahu që të ruhet tek Ai.

-IV- Shikova në krijesa kur ja pashë se të gjithë ata mburreshin me pasuri, familje ose prejardhje, pastaj shqyrtova fjalën e Allahut: “…e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), “. (el-Huxhurat, 13), kështu që iu qasa devotshmërisë që të jem i ndershëm tek Allahu.

-V- Pashë se njerëzit fyenin dhe mallkonin njëri tjetrin dhe tërë këtë si shkak i zilisë-smirës (hasedit). Meditova fjalën e Allahut: “… Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë…”. (ez-Zuhruf, 32), kështu që e braktisa zilinë ngase u binda se ndarja e dhuntive bëhet nga Allahu i Madhëruar.

-VI- Pashë njerëzit duke armiqësuar, bërë padrejtësi dhe luftuar njëri tjetrin. Shikova fjalën e Allahut: “Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik…”. (Fatir, 6), kështu që braktisa armiqësinë ndaj njerëzve dhe fillova të ushtroj armiqësinë time vetëm ndaj djallit.

-VII- Pashë se njerëzit për ta fituar idaren (furnizimin) bënin çdo gjë, madje edhe gjëra të paligjshme. Shikova thënien e Allahut: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj…”. (Hud, 6), kështu që u binda se unë jam një prej këtyre gjallesave të shumta që Allahu ka përsipër furnizimin e tyre kështu që furnizimin tim që e kam tek Ai e lashë (i bindur se do ta arrije atë në mënyrë të ligjshme).

-VIII- Shikova krijesat dhe pashë se secila prej tyre mbështetej në një krijesë të ngjashme me të; ky për pasurinë e tij, ky për gjënë e humbur të tij, ky për shëndetin e tij, ky për qendrën e tij… Pastaj iu referova fjalës se Allahut: “…kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij…”. (et-Talak, 3), kështu që i ika mbështetjes në krijesa dhe punova në drejtim të mbështetjes vetëm në Allahun e Madhëruar!

Mësuesi: Allahu të bekoftë!