Policia e Kosovës vazhdon me aksionet e saj si çdo ditë tjetër. Edhe sot ka kryer obligimet në zbatimin e ligjit e me ç’rast po kontribuoon në ruajten e rendit dhe qetësisë. Rastet si vrasje, vjedhje, dhunime, kërcënime e skandale tjera, nuk janë të pakta që ndodhin gjatë 24 orëshit në vendin tonë, raporton Kosovapost.
Policia e Kosovës ka njoftuar përmes faqes së saj në Facebook se ka arritur të parandalojë krime të ndryshme. Krime këto të cilat nuk kanë përfunduar pa ndonjë incident të rëndë, me ç’rast ka persona që janë dërguar në spital për trajtim të mënjehershëm mjekësor.
Sot rreth orëve të hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në rajonin e Kamenicës, saktësisht në fshatin Breznicë, ka arrestuar nëntë persona të dyshuar se kanë arritur të plagosin një person shtetas shqiptar në oborrin e kazinos. Viktima është plagosur me armë zjarri dhe si pasojë është dërguar me urgjencë për trajtim të nevojshëm mjekësor.
Ashtu siç informon Policia e Kosovës, viktima është dërguar në Spitalin Rajonal të Komunës së Gjilanit. I njëjti fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë. Prokurori i Shtetit ka inicuar rast ndaj të dyshuarve si “Vrasje në tentativë”.
Lidhur me këtë rast edhe tre persona janë plagosur si pasojë e shkrepjes me armë zjarri. Sipas Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Agron Uka, krejt kësaj i ka paraprirë një konflik i mëhershëm.
Një rast i vjedhjes ka ndodhur ditën e djeshme në FushëKosovë, me ç’rast Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë të dyshuarin e që sipas informatave të para bëhet fjalë për një 28-vjeçar. I njëjti akuzohet se ka kryer vjedhje në një dyqan në FushëKosovë i cili është dërguar në mbajtje për 48-orë.
Përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë në vendin tonë është bërë mjaft shqetësuese, gjë për të cilën Policia e Kosovës, vazhdimisht është e angazhuar në parandalimin e kësaj dukurie negative në shoqërinë kosovare.
Dje rreth orës 15:30 në Podujevë tek “Parku i Mançesterit”, Policia ka kontrolluar një 18-vjeçar nën dyshimin se posedon substaca narkotike, ku i ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme që dyshohet të jetë e llojit kanabis (marihuana). Ashtu siç njofton Policia, i dyshuari me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rast “Posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.
Policia ka arritur sot të arrestojë katër persona të cilët kanë qenë në kërkim qysh se nga data 20 shtator nën dyshimin se kanë shkaktuar një zjarrvënie në rrugën 1 tetori në Prishtinë. Si pasojë e kësaj ishin djegur katër vetura.
Në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicën e Jugut, Policia e Kosovës ka kapur një 19-vjeçar i cili dyshohet se ka kërcënuar duke ekspozuar një armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me rastin, Policia ka identifikuar të riun dhe menjëherë ka marrë masat e nevojshme duke e arrestuar me ç’rast atij i janë konfiksuar një armë e llojit pistoletë dhe dy fishekë. Sipas njoftimit nga Policia, rasti është duke u hetuar dhe ndaj 19-vjeçarit janë iniciuar dy raste “Kanosje” dhe “Armë mbajtje pa leje”. I dyshuari është liruar me procedurë të rregullt. /Kosovapost/