Kanë kaluar 50 ditë nga nisja e sulmit të Rusisë kundër Ukrainës. Betejat kryesore janë përqendruar në lindje të vendit, teksa lufta po futet në një fazë mjaft kritike, pasi Moska dështoi të merrte kontrollin e Kievit.
Mediat në Ukrainë raportojnë se luftimet më aktive po zhvillohen në Donetsk, Luhansk dhe Kherson. Por të shtënat dhe sulmet raketore nuk kanë ndaluar në rajone të tjera. Në Kharkiv raportohet për disa të vrarë e të plagosur gjatë natës nga forcat ruse, ndërsa ushtria e Kievit shkatërroi në atë qytet një urë për të ndërprerë rrugëtimin e forcave të Moskës drejt Izium.
Situata nuk ka ndryshuar në Mariupol, në qytetin e rrethuar prej javësh, pavarësisht se Rusia pretendon se mori kontrollin e portit të tij. Kievi thotë ushtarët e saj nuk janë dorëzuar dhe akuzon forcat e Moskës se i mori peng dhe se nuk ishin 1 mijë, por më pak.
Inteligjenca britanike thotë se mbrojtja e fortë e ushtrisë ukrainase në Mariupol ka detyruar Rusinë të angazhojë një numër të madh trupash dhe pajisjesh luftarake në qytetin port, duke dobësuar ofensivën e Moskës në Donbas.
Kievi pretendon se rusët mbajtën peng 300 civilë në një shkollë në Chernihiv për 4 javë, teksa denoncojnë se në 50 ditë luftime, Rusia ka kryer 5800 raste të krimeve të luftës, të cilat po i hetojnë autoritetet përkatëse.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm bëri të ditur se 197 fëmijë janë vrarë në Ukrainë që prej nisjes së luftës. Pjesa më e madhe në rajonet e Donetsk, Kievit dhe Kharkiv. Ndërkaq, palët kanë rënë dakord për krijimin e 9 korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve, mes tyre dhe një në Mariupol./A2