DokuFest në partneritet me Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe Komunën e Prizrenit sot nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të mbështetjes institucionale të DokuFest. Marrëveshja ka për qëllim avancimin e programeve të cilat kanë të bëjnë me festival dhe zhvillimin e kineastëve të rinj të Kosovës.
Me këtë rast gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtoresha ekzekutive Linda Llulla tha “Jemi shumë të lumtur që sot edhe zyrtarisht e thellojmë bashkëpunimin tonë shumëvjeçar me qeverinë suedeze, përmes Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar, që do të mbështetet edhe nga Komuna e Prizrenit. Kemi qenë shumë të nderuar të jemi nikoqir të drejtoreshës së Institutit të Filmit Suedez në Prizren, e cila ka qenë një përkrahëse e flaktë e DokuFest në skenën ndërkombëtare. Me Institutin Suedez dhe regjionin Halland kemi organizuar programe siç është “CREATIVE FORCE” e që u ka mundësuar artistëve suedez të bashkë krijojnë me artistë nga rajoni gjatë edicioneve të kaluara të DokuFest.
DokuFest ka fillu si një festival në një qytet pa kinema, por falë punës tonë dhe falë përkrahjes së miqve dhe punës së palodhshme të gjithë atyre që kanë kontribuuar në DokuFest ndër vite sot Prizreni njihet si qytet i kinemasë dhe 20 vite më vonë Prizreni ka 16 kinema aktive në qytet. E kinematë nuk mund të jetojnë pa filma dhe pa tregimet e krijuesve vendor dhe mbështetja suedeze në këtë aspekt do ta luaj rolin shumë të rëndësishëm të vazhdimit të zhvillimit të kineastëve të rinj. Ky është vetëm një nga qëllimet e kësaj mbështetje, përmes së cilës qeveria suedeze e ka parë potencialin e organizatës tonë në zhvillimin e mëtutjeshëm të skenës së filmit, në veçanti të kineastëve të rinjë.
Ne, poashtu do të kemi mundësinë që të vazhdojmë punën tonë në demokratizimin e shoqërisë përmes artit dhe kulturës. Kjo do të reflektohet në zhvillimin strukturor të kapaciteteve të organizatës për të konfiguruar gradualisht fushën e programit tonë strategjik dhe vizionin për 10 vitet e ardhshme.”