Në një hulumtim të kryer nga Kosova Post, rezulton se gjatë procedurave të tenderimit, Komuna e Malishevës ua ka besuar kryerjen e punëve, kryesisht operatorëve më të shtrenjtë, përkundër ofertave më të lira, që kanë ofruar të tjerët. Megjithatë, zyrtarët nga Zyra e Prokurimit e Malishevës, thonë se për operatorët e eliminuar (OE), ka pasur një varg arsyesh pse nuk janë përzgjedhur, shkruan Kosova Post.
Sipas një përllogaritje, që nga data 07. 09. 2018, e deri më datën 18. 08. 2021, komuna i ka humbur € 899,043.69.
Kosova Post ka siguruar dëshmi që konstatojnë shumën e përllogaritur, për të gjitha kontratat e analizuara përgjatë kësaj periudhe.
Zyra e Prokurimit e Komunës së Malishevës, megjithatë thotë se “asnjë shkelje e LPP-së nuk ka ndodhur gjatë shpërblimit të OE-ve, me kontrata, dhe AK nuk e ka humbur asnjë shumë të mjeteve”.
Për Kosova Post kjo zyrë tha se të gjitha kontratat janë të parapara në buxhet dhe brenda vlerës së parashikuar. Për më shumë, sipas tyre, lëndët e zyrës së prokurimit gjenden edhe në faqen zyrtare të KRPP-së dhe se aty figurojnë të gjitha dokumentet standarde të ngarkuara në sistem.
“Dhe në këto dokumente janë shumë të qarta arsyet e eliminimit dhe shpërblimit të OE me kontratë të bazuar në LPP”.
Në dokumentet e siguruara nga Kosova Post, në letrat standarde dërguar operatorëve të eliminuar, nënvizohen edhe arsyetimet pse ata janë eliminuar nga gara.
Megjithatë opozita nuk e ndanë këtë mendim. Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, për Kosova Post tha që justifikimet e zyrtarëve komunalë në lidhje me këtë çështje, nuk qëndrojnë.
“Kjo është çështje për të cilën ne si opozitë e kemi ngrit zërin qe disa vite në Malishevë, madje nuk janë të pakta edhe rastet e dërguara në prokurori për këtë çështje!”, ka thënë Krasniqi për Kosova Post.
Për më tepër, sipas tij, “kjo është pasqyrë e qeverisjes së tanishme komunale dhe qasjes së saj ndaj parasë publike. Me anë të manipulimeve, kurdisjes së tenderëve, vendosjes së kushteve diskriminuese për operatorë ekonomikë, fryrjes së paramasave, aneks kontratave, dhe punëve shtesë, si dhe ekzekutimit të dobët të punëve në terren. Qeverisja komunale e Malishevës është shndërruar në qeverisje e cila mbron interesat e bizneseve të bashkëpunëtoreve dhe familjarëve të vetë dhe assesi interesat e qytetareve të Malishevës.”
Krasniqi është zotuar se po qe se ata vijnë në krye të qeverisë komunale, këto kontrata do të hetohen:
“Siç e keni vërejt edhe ju në hulumtimin tuaj, dëmet financiare për shkak të keqqeverisjes së deritanishme janë shumë të mëdha dhe padyshim se me ardhjen e qeverisë sonë në Malishevë të gjitha këto kontrata do të hetohen dhe do të procedohen në organet përgjegjëse.”
Vlen të theksohet se për të gjitha kontratat e analizuara, ekzistojnë dokumentet e domosdoshme dhe se analiza është mbështetur duke i marrë për bazë ato si dëshmi./KosovaPost/