Gjendja e tanishme në Afganistan është pasojë e ngjarjeve të ndjeshme politike që kanë ndodhur atje në dekadat e fundit. Për më tepër, është rezultat i rrethanave historike në 200 vjetët e fundit.
Nuk është vetëm pozita strategjike e Afganistanit arsyeja e turbulencave kaq të mëdha që ndodhin atje. E as vetëm pasuria e këtij vendi. Është diçka më shumë se kaç, më thellë se ç’duket dhe me refleksione më të ndjeshme në arenën ndërkombëtare se ç’mendojnë njerëzit e rëndomtë.
Ky studim në disa pjesë, përveç që hedh dritë mbi arsyet kryesore pse Afganistani gjendet vazhdimisht në flakë, synon gjithashtu të mbush vakumin, ose të shkojë përtej disa interpretimeve të gabueshme e të përsëritura tek ne që i dëgjojmë rëndom dhe i lexojmë nëpër hapësira të ndryshme.
Pyetja esenciale në lidhje me këtë rast studimor është: Përse a thua SHBA-ja, fuqia numër një e botës, me gjithë mijëra viktima e dhjetëra mijë të plagosur, ende vazhdon interesimin e saj për Afganistanin. Ani pse së fundmi e mundur po tërhiqet nga aty?!
Shkruan: Mustafë Bajrami
Asnjë studim kushtuar rajoneve ku gjendet Afganistani dhe Lindja e Mesme nuk mund të injorojnë mënyrën sesi forcat e jashtme kanë formësuar zhvillimin e politikave, të ekonomive dhe të shoqërive të atjeshme ose, në fakt, sesi vetë këto dy rajone kanë kontribuuar për të modeluar dhe formësuar mjedisin global.
Afganistani nuk mund të kuptohet vetëm duke e shpjeguar mënyrën se si ndodhin gjërat atje. Sepse Afganistani nuk është vend sikur të gjitha vendet e as rajoni ku gjendet Afganistani nuk është sikur të gjitha rajonet tjera të botës. Por është një vend në të cilin ngjarjet që ndodhin aty ndikojnë shpejt në vendet përreth, e pastaj në regjionin që konsiderohet ndër më të rrezikshmit në botë. Për shkak të frymës që përhapë Afganistani dhe për shkak të ndjeshmërisë së rajonit. Por edhe për shkak të kohës në të cilën jetojmë.
Gjithsesi, për shoqëritë muslimane, për Lindjen e Mesme e për Afganistanin në veçanti, gjysma e dytë e shekullit 20 karakterizohet me ngjarje të bujshme që kanë tronditur jo vetëm rajonin por kanë shkaktuar pasoja të mëdha edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ngjarjet e kësaj kohe atje nxitën zhvillime të mëdha politike dhe zgjuan interesimin për një Islam politik të ringjallur.
Ngjarja më e madhe pa dyshim është revolucioni islamik iranian i 11 shkurtit të vitit 1979, i cili rrëzoi Shahun dhe krijoi politikën e parë islamike në botë (megjithëse Shia). Muslimanët filluan të ngulmonin për arritjen e krijimit të një republike islamike, e cila ngjalli frikën në Perëndim se regjimet e tjera të Lindjes së Mesme do të kalonin një përvojë të ngjashme.
Dy vite para kësaj, saktësisht me 5 korrik të vitit 1977, Pakistani befasoi botën në mënyrën që pak kush e kishte pritur. Nëpërmes një grusht shteti, gjenerali Muhamed Zija-ul-Hak erdhi në pushtet dhe në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit, deklaroi se Ligji Islam do të zbatohej dhe do shpallet shtetit islam për të cilën ishte krijuar Pakistani. Zija-ul-Hak menjëherë nisi përpjekjet për të islamizuar sistemin ligjor të vendit, krijoi Gjykatën Federale të Sheriatit, e tri vite më vonë, themeloi Mexhlis-i-Shura (Këshilli Konsultativ) si zëvendësim i Asamblesë Kombëtare.
Më 20 nëntor të vitit 1979 kindapohet Qabeja në Mekë. Sulmi dhe kapja dy-javëshe e armatosur e Qabesë u drejtua nga Xhuhaiman ibn Muhamed el-Uteybi dhe 500 militantë disidentë selefi. Arsyetimi i tyre ishte se familja mbretërore el-Saud ishte e korruptuar, se po ndjektë verbërisht Perëndimin, dhe si e tillë, e ka humbur legjitimitetin e saj. Rrëzimi eventual i familjes mbretërore el-Saud do të shkaktonte turbulenca të mëdha në rajon si dhe do të prishte konstelacionet Perëndim-Botë Islame të krijuara përgjatë një shekulli.
Një tjetër ngjarje e madhe që ndodhi në atë kohë, ishte pikërisht ndërhyrja sovjetike në Afganistan në dhjetor të vitit 1979. Fill pas invadimit sovjetik, në botën muslimane u ngjallë një lëvizje shumëkombëshe për të dërguar kryengritës islamistë atje dhe për të marrë pjesë në atë që do të bëhej kauzë globale islame. Përtej kësaj, siç do të shohim në rreshtat në vijim, SHBA-ja nisi dërgimin e ndihmave financiare, ushtarake dhe të inteligjencës, Arabia Saudite u kyç me gjithë potencialin e saj, ndërsa Pakistani vuri në dispozicion edhe tokën e vetë, edhe shërbimin sekret në ndihmë të luftëtarëve muslimanë kundër ushtrisë sovjetike. Administrata e Reagan siguroi qindra miliona dollarë ndihmë financiare, ushtarake dhe logjistike për dhjetëra mijëra kryengritës islamistë afganë (zakonisht të referuar si muxhahedinë) dhe luftëtarëve muslimanë nga e gjithë bota arabe / myslimane. Në fillim, e gjithë kjo linte të kuptohej se po bëhej përpjekje për të kundërshtuar përparimet sovjetike dhe konsolidimin e ndonjë regjimi të mundshëm marksist në Kabul. Lufta dhjetëvjeçare në Afganistan inspiroi miliona muslimanë nga e gjithë bota dhe nxiti idenë pan-islame me të cilën do të ballafaqohej bota për 40 vite e deri në ditët e sotshme.
Në vitet 1980-a ndodhën zhvillime tjera që përshkallëzuan më tej vrullin e islamizmit gjithandej në botë. Në Gjirin Persik, në vjeshtën e vitit 1980, SHBA-të dhe aleatët e saj rajonalë të pasur me naftë mbështetën luftën e nisur nga Iraku kundër regjimit islamik të Iranit. Frika e tyre e përbashkët ishte depërtimi i ideve revolucionare islame edhe në vendet arabe të Gjirit, e nga andej në gjithë botën arabe. Për më tepër, në Egjipt, në tetor të vitit 1981 vritet presidenti Enver el-Sadat. Vrasjen e kryejnë disa të rinj ushtarakë të lidhur me grupin militant islamik (Tandheem al-Xhihad) të cilët kishin deklaruar më parë se do të bëjnë çmos për vënien në praktikë të ligjit të sheriatit.
Ngjarja e radhës e asaj kohe me reputacion pan-islam ishte ajo e fillimit të vitit 1982 kur regjimi sirian shtypi brutalisht kryengritjen e udhëhequr nga dega lokale e Vëllazërisë Myslimane. Mbi 50 mijë njerëz u vranë në epiqendrën e tij. Në qytetin e ndezur të Hamës. Një vit më vonë, u shfaq Hezbollahu në Liban, lëvizje kjo radikale islamike shiite që do të përfshihej në sulme vetëvrasëse kundër forcave amerikane, franceze dhe izraelite, si dhe kundër ambasadave të huaja në rajon. Hizbullahu shumë shpejt gëzoi mbështetje të gjithanshme nga Irani, Siria dhe disa vende tjera muslimane.
Pesë vjet më vonë, saktësisht në vitin 1987, themelohet Lëvizja Islamike Palestineze “Hamas” e cila u bë një konkurrente e ashpër e krahut nacionalist sekular “el-Fatah” të Jaser Arafatit. Hamasi nuk zgjodhi mënyra për ta luftuar Izraelin, dhe, njëjtë sikur Hiszbullahu, përdori metodat vetëvrasëse me të cilat tronditi rajonin dhe shumë vende të botës.
Janë edhe dy ngjarje të tjera që bënë bujë në Lindje të Mesme dhe në gjithë botën muslimane.Në qershor 1989, islamistët sudanezë të ndihmuar nga ushtria e vendit kryen grusht shtetin dhe si rezultat, Hasan Turabi merr pushtetin në duar. Po atë vit, në muajin nëntor Vëllazëria Muslimane e Jordanisë fitoi 22 nga 80 vendet në zgjedhjet parlamentare. Kjo ishte hera e parë që një lëvizje pan-islame fiton kaq shumë në kutitë e votimit. Kjo stuhi ngjarjesh luajti një rol të rëndësishëm në sjelljen e islamikëve në skenën qendrore të botës.
Gjithsesi, nga të gjitha këto vlime politike dhe disa të tjera që ndodhën në atë kohë, Revolucioni Islamik i Iranit dhe pushtimi sovjetik i Afganistanit janë dy ngjarjet që më së shumti ndikuan dinamikat e viteve që do të pasojnë. Që të dyja këto ngjarje nxitën ndjenjat e muslimanëve për pan-islamizëm, e në të njëjtën kohë, shkaktuan pezm dhe reaksione të mëdha në botën perëndimore. Përveç edhe të disa faktorëve tjerë ekonomik e strategjik, këto ngjarje me ngjyrime politike islamike, bënë që disa vendeve perëndimore të mendojnë akomodimin e ushtrive të tyre në Lindje të Mesme e sidomos në Afganistan. Dhe ashtu ndodhi.
Përse Afganistani?
Për shkak të pozitës gjeografike që ka, tokat e Afganistanit kanë luajtur një rol strategjik për shekuj të tërë. Aty kanë kaluar rrugët kryesore tregtare mes Kinës dhe Lindjes së Mesme, si dhe mes Kinës dhe Evropës. Karvanet tregtare andej janë ndalë dhe aty janë bërë shkëmbimet e mallrave të shteteve të atëhershme. Afganistani ka qenë i rëndësishëm edhe për pushtimet e Aleksandrit të Madh, si dhe regjioni për të cilin Persia e dikurshme ka flijuar me mijëra ushtarë. Megjithatë, që nga ajo kohë e deri më sot, Afganistani asnjëherë nuk i është nënshtruar asnjë pushtuesi.
Ku gjendet Afganistani?
Afganistani rrethohet nga 6 shtete ku tri nga ato kanë armë bërthamore. Në juglindje përkufizohet me Pakistanin, në jugperëndim me Iranin, në veriperëndim me Turkmenistanin, në veri me Ozbekistanin dhe Taxhikistanin, ndërsa në lindje me Kinën me një kufi 76 kilometra i gjerë.
Afganistani e zë vendin e parë në botë me ndërrimin e shpeshtë të flamurit. Kjo ka ndodhur për shkak të problemeve politike të shumta që e kanë përcjellë përgjatë historisë. Mbi 30 herë ka ndryshuar pamjen e flamurit kombëtar, varësisht prej pushteteve dhe rrethanave historike. Zakonisht ka pasur tri ngjyra: E kuqe, që është simbolika e gjakut të derdhur për liri, e zeza që simbolizon të kaluarën e idhët të vendit dhe kombit, dhe ngjyra e gjelbër që simbolizon ëndrrën afgane për një të ardhme islame.
Afganistani gjithsej ka 652 mijë kilometra katrorë. Për nga madhësia territoriale është e 41 në botë dhe ka një territor përafërsisht sa Franca. Pjesa më e madhe e vendit është malorë me bjeshkë të larta. Në lindje janë vargmalet e Himalajeve të cilat, në një mënyrë e ndajnë Afganistanin në dy pjesë. Në Veri dhe në Lindje. Edhe pse Afganistani ka lumenj të shumtë, popullata e këtij vendi edhe sot e kësaj dite vuan nga thatësira. Bujqësia dhe blegtoria janë dy segmentet kryesore të jetës afgane. Nga 15 milion njerëz të aftë për punë, 80% e tyre merren me bujqësi dhe blegtori. Deri diku është e zhvilluar industria e sapunit, e këpucëve, e plehrave të ndryshme, eçimentos dhe me industrinë e tepihëve të njohur afgan. Afganistani e zë vendin e parë në botë me gurë të çmueshëm. Gjithashtu, është i pari në botë me prodhimin e hashashit. 70% e drogës, opiumit e hashashit vjen nga Afganistani. Në pyetje janë dhjetëra, e sipas disa burimeve, qindra miliarda dollarë.
Numri i popullsisë në Afganistan është afër 40 milion. Vetëm 22% e saj jeton në qytete. 42% janë me prejardhje peshtune që e flasin gjuhën peshtune, 27% janë taxhikë, 9% hazara, 9%, ozbek, 4% turkmen dhe 10% të tjerë. Gjuha më e përhapur në Afganistan është gjuha tarixhije të cilën e flasin mbi 80% e popullatës. Kjo gjuhë është një dialekt i persishtes. Tarixhishtja dhe peshtunishtja janë dy gjuhët zyrtare të Afganistanit. 99% e popullatës janë muslimanë, e ndër ta 81% sunni. 19% të tjerë janë shii. Megjithëqë në Afganistan ka pasur mijëra hebrenj, viteve të fundit janë larguar të gjithë prej aty, përveç një hebreu rabin i cili kujdesët për sinagogën e Kabulit.
Ndër shtetet që Afganistani e konsideron më të afërmin, është Turqia. Popujt e këtyre dy vendeve duhen, respektohen dhe ndihmohen mes vete. Mbreti i Afganistanit, Emanullah Han që ishte në pushtet mes viteve 1919-1929, kishte afërsi të madhe me Kemajl Ataturkun dhe vazhdimisht shkëmbenin vizita e takime të ndryshme. Në fakt, Kemajl Ataturku i kishte propozuar Emanullah Hanit që të merrte Turqinë si model për rimëkëmbjen e Afganistanit. Me gjithë përpjekjet e qeverisë afgane të asaj kohe të jetë në vijën e Turqisë, rrëzimi nga pushteti i Emanullah Hanit, vendit i shkaktoi kriza të mëdha dhe u përmbys çdo përpjekje e deri atëhershme për një rimëkëmbje të mundshme politike e ekonomike. Më pas, Afganistani erdhi në pikën ku është tani.
-Vazhdon-