Dr. Mustafa Bajrami i shkruan një letër imamëve nëpër xhamitë tona!

Dr. Mustafa Bajrami i shkruan një letër imamëve nëpër xhamitë tona!

Studiuesi i shkencave islame, Dr. Mustafa Bajrami i ka “këshilluar” ligjëruesit shqiptarë nëpër xhamitë tona që të mos i stërhollojnë aq tepër ligjëratat e tyre. Aq më tepër ai i ka lutur të janë sa më konciz, sa më të përgatitur dhe ligjëratat e tyre të jenë së më të arsyeshme. Mesazhi i ligjëratës është rëndësi të jepet, jo prezantimi i asaj që imami e paskësh marrë nëpër shkolla.  

Sipas Dr. Bajramit,  nëse ligjëruesi nuk përgatitet në atë mënyrë që mesazhi i ligjëratës së tij të pranohet edhe matanë detit, atëherë, detyrën e vetë imami nuk e ka kryer si duhet.

Më poshtë lexojeni postimin e tij të plotë në llogarinë e tij në Facebook:

MIQËSISHT LIGJËRUESVE NËPËR XHAMIA NË DITËN E XHUMA!

Shumë të respektuar imamë, posaçërisht ju ligjëruesë të nderuar!

Deri më tani kam botuar pesë shkrime në lidhje me nevojën, teknikat dhe rëndësinë e ligjërimeve nëpër xhamitë tona. Atje, jam munduar të shpjegoj “filozofinë” e ligjëratës së ditës së xhuma. Kam cekur çka duhet të flitet e çka nuk bënë të thuhet nëpër xhami. Si duhet të ndahet tema dhe si duhet të përfundojë ajo. Kam thënë gjithashtu se hytbeja e xhumasë nuk bënë të stërngarkohet tepër me citate në gjuhën arabe, nuk bënë të përsëriten fjalët, e as të teprohet me lëvdata ndaj cilit do e përmendni në ligjëratë. Me një theks të posaçëm kam thënë se, nëse ligjëruesi nuk përgatitet në atë mënyrë që mesazhi i ligjëratës së tij të pranohet edhe matanë detit, detyrën e vetë nuk e ka kryer si duhet. E këtu, në këta pak rreshta, dua të jam më konciz. Shkurtimisht do të përmendi vetëm një “mangësi” që herë- herë na bie në sy, teksa i përcjellim ligjëratat tuaja në ditët e xhuma.

Fjala është hadithin. Më saktë, për citimin e haditheve të pejgamberit a.s., apo, ta quaj për shkencën e hadithit. Gjithsesi, mendoj unë, kur është fjala për citimin e haditheve të pejgamberit a.s., nuk është e domosdoshme që në ditën e xhuma, në prani të xhematit, të lëshohet shpjegimi deri atje sa të flitet për së tepërmi për metodat dhe mënyrat e vlerësimit të një hadithi. Nuk është e domosdoshme që xhemati t’i dëgjojë këto stërhollime, e as është dita e xhuma, ditë kur duhet shpjeguar këto.

Në hytben e xhumasë, nuk është e domosdoshme të ceken aq hollë transmetuesit e haditheve, sepse, brumi i hadithit po humb në peshë. Nuk ka nevojë të shpjegohet aq thellë mënyra e rënies apo ngritjes së ndonjë transmetuesi, kinse për të argumentuar në qëndrueshmërinë e hadithit që ti po e përmend. Kësisoj ti po jep një përshtypje se nuk je përgatitur sa duhet për atë ligjëratë. Dije, xhematit nuk i duhen ato gjëra. Këto tema janë për hoxhallarët, jo për dëgjuesit e rëndomtë në xhami. Nuk është hutbeja e xhumasë vendi e as koha për këto. Ato janë tepër teknike sa për t’i dëgjuar xhemati në një kohë kaq të shkurtër. Lëshimi i tepërt në citimin e gjithë asaj që ti e di në lidhje me hadithin, është humbje kohe për xhematin. A xhemati tek ti ka ardhur të dëgjojë mesazhin e xhumasë, jo atë që ti e paskësh mësuar nëpër librat e hadithit. Xhemati po nevrikoset nga këto stërhollime. Nëse bash “sun rri” pa hyrë andej, atëherë, le të mjaftojë vetëm përmendja e hadithit, si, “sahih”, “hasen”, “daif”, apo të ngjashme. Asgjë më tepër.

Ti e di se ligjërata e ditës së xhuma është koha kur duhet të përçohet një mesazh në lidhje me një problem apo çështje të caktuar. Ligjërata e ditës së xhuma nuk ka karakterin e ligjëratës në shkollë. Nëse imami mendon se duhet t’i shpjegojë edhe këto gjëra në xhami, a unë mendoj se duhet, atëherë, le të caktojë një ditë tjetër, një kohë shtesë mes namazeve, përgjatë javës, dhe të interesuarve tua mësoj edhe teknikat e vlerësimit të një hadithi.

Duke mbetur me shpresën se ligjëruesit e dinë saktë që ligjërata e xhumasë ka karakterin e dhënies së një mesazhi të caktuar drejtuar shoqërisë, atëherë, le të koncentrohen ne mesazhin e ditës së xhuma, jo së tepruari në shkenca islame.

Paraprakisht, lutje nga zemra për mirëkuptim…!