Një ndër festimet më të bukura që mund ta kenë parë shqiptarët nga bashkëkombasit e tyre në Zvicër ka gjasa të ndalohet.
Në disa raste, kur shënohej gol nga Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka me shokë, të njëjtët bënin festimin me shqiponjë.
Më shumë se serbëve, simbolika e duarve të bashkuara i paska penguar Pierluigi Tamit, drejtorit të kombëtares së Zvicres.
Ai u ka kërkuar futbollistëve shqiptarë te helvetikët që të mos festojnë me shqiponjë në Botëror.
“Botërori nuk përbëhet vetëm nga ndeshja me Serbinë, edhe nëse e dimë se sa e veçantë është kjo ndeshje, duke pasur parasysh atë që ndodhi në vitin 2018. Ne nuk duam të bëjmë të njëjtat gabime, ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe asgjë tjetër”, ka thënë Tami.
“Ne nuk duam të dërgojmë asnjë mesazh politik apo fetar. Ne duam të përfaqësojmë vlerat tona. Njëra prej tyre është respekti. Ne tregojmë respekt për opinionet e tjera. Për mua do të ishte gabim nëse do të provokonim dikë me një gjest, pavarësisht lojës” përfundoi ai.