Dreshaj: LDK e ka lodhur Istogun, ka ardhur koha për kryetar pa kostume dhe kollare

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj ka konfirmuar se nëse ai do ta marrë besimin e qytetarëve të Istogut për 4 vitet e ardhshme, ai nuk do ta ketë vendin në zyrë por në karrige në hyrje të komunës, vend ku do të dëgjoj hallin e qytetarëve. Dreshaj është i bindur se LDK-në, do ta lë me “gishta në gojë”, sepse thotë ai  tash e sa vite ka udhëhequr me njerëz të lodhur dhe të zhytur në raki. Dreshaj premton se Istogun do ta bëjë një qytet që do të ngjajë me rrethinën e Hamburgut të Gjermanisë, e jo një qytet që LDK-ja, për sa vite e la pa asgjë e madje edhe pa ujë të pijes.

Kosova Post: Po fillojmë fushatën për zgjedhjet lokale. Ju si kandidat për Komunën e Istogut nga radhët e AAK-së, cili është programimi do ta bëni fushatën tuaj?

Gani Dreshaj: Mendoj se duhet të jemi real dhe mos të bëjmë gënjeshtra tek populli duke maipuluar me numra dhe shifra enorme. Duhet të jemi sa më konkret dhe të mbajmë premtimet e dhëna. Istogu ka një konkurrencë, por ma merr mendja se qytetarët e Istogut janë të bindur se komuna jonë ka nevojë për ndryshime. Kemi ndryshime dhe në Qeveri dhe kjo besoj se ndikon edhe në nivelin lokal. Si çdo vend në botë është mirë që partia që ka qeverinë me pas udhëheqje edhe komunën. Istogu ka vuajtur deri me tani. Na jemi të qytetit të presidentit Rugova dhe për hir të respektit që kemi pas për të e kemi duruar mjaftë edhe LDK-në. Por, tash është ndryshe, po shihet se në LDK nuk kanë të bëjnë asgjë me Rugovën. Për Istogun e kam për qellim të punojë shumë dhe jam i bindur se do ta fitoj Istogun.

Kosova Post: A ka me arrit Dreshaj që t’ia marr LDK-së pushtetin në Istog?

Gani Dreshaj: Atë ditë kur e kam marr postin e kryetarit të degës në Istog kam qenë i vendosur që kam me arrit t’ia marr LDK-së pushtetin. Jo LDK-së si LDK,  por kësaj LDK që e ka udhëhequr Istogun.

Kosova Post: A do të thotë kjo që LDK nuk ka ditur të ruaj votuesit e saj?

Gani Dreshaj: Jo që nuk ka ditë, por me ngrënë dredhëza për çdo ditë për 17 vite lodhet populli dhe  mërzitet. LDK e ka degraduar Istogun , nuk është bërë asgjë në ketë komunë. Ne jemi me një fushë sporti që nëntë vite e cila është ndërtuar mbi varrezat masive të shqiptarëve në kohën e Rankoviçit. Nuk ka ndryshuar asgjë, Istogu është për gjynah të zotit . Është degraduar arsimi, në spitale nuk kemi asgjë. Ne në Istog kemi probleme, neve në Istog po na mbytë rakia dhe për ketë arsye unë në katër vitet e ardhshme do të pijë veç qumësht.

Kosova Post: Pse rakia?

Gani Dreshaj: Se rakia dëmton shëndetin dhe kur je në post publik e dëmton edhe komunën , popullatën dhe votuesit.

Kosova Post: A po aludoni këtu tek njerëzit paraprak që kanë udhëhequr me Istogun?

Gani Dreshaj: Po, me këtë unë po aludoj tek njerëzit kyç që e kanë pas pushtetin, si në arsim ashtu edhe në politikë në Istog.

Kosova Post: A do të bashkëjetojë me hallin e qytetarëve  Gani Dreshaj në katër vitet e ardhshme apo të jetë një kryetar i veshur me kollare që do të rri  i ‘hekurt’ në zyrë?

Gani Dreshaj: Unë e kam ndarë mendjen ta bëjë një tavolinë tek dera e komunës, pikërisht tek shkallët dhe dimër, verë do të jem aty për të biseduar me qytetarin për të dëgjuar hallet dhe brengat e tyre. Unë në zyrë nuk do të shkojë asnjëherë, veç nëse me duhet të nënshkruaj ndonjë dokument, madje edhe për atë nënshkrim do të kërkojë të më sjellin dokumentët tek dera për ti nënshkruar.

Kosova Post: A mendoni se do ta fitoni Istogun në raundin e parë të zgjedhjeve pa pas nevojë për balotazh?

Gani Dreshaj: Unë  do të doja të mos ketë fare balotazh, por  me të parën herë, me na ndihmuar qytetarët, sepse  është bërë mjaftë me këtë keqqeverisje të deritanishme, e të mos i mundojmë  qytetarët të dalin dy herë në votime.

Kosova Post: Kënd e shihni si kundërkandidatin tuaj më të fortë për Istogun?

Gani Dreshaj: LDK është bërë pike e pesë, nuk është as LDK-ja e kënaqur që e ka marrë zotëri Rugova me qykë të zorit, nuk i dha shanse as ish deputetit  Agim Ademit. E kanë një ekip shumë të lodhtë, një ekip të njëjtë të asamblistëve qe 25 vite, janë të njëjtit që shkojnë herë në një karrige e herë në tjetrën.  Istogu ballafaqohet edhe me mungesën e ujit të pijes. LDK e ka humbur rininë ka mbetur një klan i lodhët me një krim të organizuar që ndodh që  as kryetari i komunës nuk ka marrë vesh se çka po bëhet poshtë deri ka shkuar lartë.

Kosova Post: Nëse është në pyetje posti i deputetit me atë të komunës nga cili post do të hiqni dorë?

Gani Dreshaj: Unë si Gani nga asnjëri post nuk përfitojë. Unë nuk e kam qëllimin të pasurohem. E di që e dëmtoj veten, por e ndiej veten të lumtur kur  mundem t’iu ndihmojë qytetarëve të Istogut me punësime që mos të marrin rrugën e kurbetit, drogave dhe rakisë që na ka përfshirë në shumicë në Istog. Na duhet të punojmë ditë e natë që të ndihmojmë qytetarët. Mundësisht nënave, motrave dhe grave është pjesa që më së shumti kanë nevojë për punë sidomos në komunën e Istogut ku punësimi i tyre është zero.

Kosova Post: Në intervistën e me hershme që kemi zhvilluar me ju keni deklaruar se nëse bëheni deputet, paga juaj do të shkojë për karroca të invalidëve të luftës. Për kënd do të shkoj paga e kryetarit të Istogut nëse do të jeni kryetar në vitet e ardhshme?

Gani Dreshaj: Paga ime do të shkojë për nevojtarët e komunës sonë e jo për ata që vozisin Mercedes e marrin socialin. Më së pari duhet ta shohim listën e njerëzve që marrin social, a janë keqpërdorues apo nevojtarë. Gjatë fushatës ka edhe shantazhe që u thonë se do tu ndërpresin ndihmën sociale. Këto gjëra dukuri që i ka bërë LDK duhet të ndalohen tash e përgjithmonë. Ideja jem është që ti largoj duart politika nga arsimi.

Kosova Post: A do të arrini ti zhdukni këto dukuri negative që i përmendet?

Gani Dreshaj: Me ditën që e fitoj Istogun PO, ose do të shkoj në burg ose kam me i ndaluar  dukuritë negative. Ja gjallë ja i vdekur këtë negativitet do ta zhduki.

Kosova Post: Meqë ju keni jetuar edhe në Gjermani , a do të arrini që brenda katër vitesh ta bëni Istogun si ndonjë qytete të Gjermanisë?

Gani Dreshaj: Istogun do ta bëjë një pilot projekt një komunë me të zhvilluar si me qenë në rrethin e  Hamburgut të Gjermanisë. Istogu ka kapacitet dhe njerëz të mirë . Në Istog fatmirësisht nuk ka vëllavrasje dhe nevojitet vetëm një udhëheqës i mirë që i bashkon dhe nisë punën bashkë me ta. Intervistoi: Mirjeta Dervishi

© KosovaPost.net Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like

LDK mbanë konferencë në mëngjes, Isa Mustafa do të votoj në këtë qendër votimi

Nesër, në orën 08:00, në Sallën e Konferencave