Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka thënë se çështja e dinarit serb nuk i trazon raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Dugolli e krahasoi çështjen e raporteve mes Izraelit dhe ShBA-ve, për të cilat tha se ka raste kur pala izraelite nuk i përfill kërkesat amerikane dhe marrëdhëniet mes dy vendeve nuk prishen.
“Nuk është dinari i Serbisë element që i trazon raportet shqiptaro-amerikane e as kosovaro-amerikane. Senati amerikan dha miliarda për mbështetjen e Izraelit ndërsa Izraeli nuk përfill shumë nga kërkesat amerikane, reagon edhe presidenti Biden dhe nuk prishen marrëdhëniet me Izraelin, prandaj t’i lëmë këto gjëra, mos të krijojmë kurrfarë hutie në opinion, nuk është tensionim i marrëdhënieve e as nuk është prishje e marrëdhënieve”, tha Dugolli në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se një reagim si ai i sotëm i ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është parë edhe në të kaluarën, ku përmedi edhe iniciativën e shpërbërjes së Gjykatës Speciale.
“Është parë edhe te taksa 100 për qind, edhe te targat edhe te vendosja e kryetarëve në komuna por edhe tash. Cdo herë është deklaruar kështu, është parë edhe te tendenca për ta shpërbërë Gjykatën Speciale kur kanë thënë se është thikë pas shpine ndaj Amerikës”, tha ai.