Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq do të qëndroj sot për vizitë zyrtare në Shqipëri. Shefi i shtetit serb do të vizitoj Tiranën në vazhdën e takimeve të ‘Open Balkans’. Ndërsa në anën tjetër, ish-kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thirrur një protestë që pritet të filloj nga ora 16:00, transmeton KosovaPost.
Berisha ka bërë thirrje që protestuesit të mblidhen pranë selisë së Partisë Demokratike dhe të marshojnë krejt kryeministrisë.
Gazetari i “Albanian Post” në Shqipëri, Vitjon Nina në një prononcim për lajmi.net ka thënë se duhet bërë e qartë se protesta nuk është thirrur nga PD-ja, por nga ish-kryeministri Berisha, i cili nuk është zëri zyrtar i PD-së.
“Duhet bërë e qartë fillimisht se protesta nuk është thirrur nga strukturat e Partisë Demokratike, por nga ish-kryeministri Berisha. Pavarësisht faktit se ky i fundit është në luftë të hapur me kreun e demokratëve dhe pretendon se e ka shkarkuar atë nëpërmjet vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit dhe ratifikimit në referendumin e anëtarësisë më 18 dhjetor, ai nuk është zëri zyrtar i PD-së. Ndaj, kjo gjë duhet ndarë dhe bërë e qartë.”, tha Nina për lajmi.net.
Më tutje, Nina potencon se Berisha po tenton të hap luftë edhe me dike të jashtëm si Aleksandër Vuçiq, përveç kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Pavarësisht kësaj, Nina mendon se në protestën e sotme nuk pret të ketë zhvillime madhore sa i përket tensioneve të cilat mund të eskalojnë në dhunë.
“Në protestat e thirrura historikisht nga Berisha në Shqipëri, ka pasur shpesh tensione dhe konfliktim. Megjithatë, kjo është një protestë e sjellë ndryshe këtë herë nga ai, pasi nuk kërkon të luftojë thjesht faktorin e brendshëm (pra kryeministrin Edi Rama), por edhe dikë të jashtëm si Alexander Vuçiç, duke e vendosur cakun në atë që Berisha mendon se janë anë negative të “Open Balkan”. Gjithsesi, mendoj se protesta e sotme, pavarësisht episodeve sporadike, nuk do të ketë zhvillime madhore në sensin e dhunës. Duhet parë edhe sa i aftë do të jetë Berisha për të mbledhur njerëz pas vetes dhe sa masive do të jetë protesta.”, tha Nina.
Lidhur me situatën e brendshme në Partinë Demokratike, Nina thotë se protesta e vërtetë sot do të jetë brenda PD-së, pasi Berisha po kërkon rikthimin në krye të PD-së.
“Sipas informacioneve që ne kemi siguruar si Albanian Post nga burime brenda selisë blu, protesta e sotme e vërtetë pritet të jetë pikërisht ajo brenda PD-së. Berisha jo më kot e nis marshimin nga godina e Partisë që ka bashkëthemeluar e drejtuar për dy dekada. Ai rikthimin drejt karriges numër një në PD, po e kërkon nga rruga – aty ku e ka nisur karrierën politike. Basha është në mënyrë legjitime në kryesim të partisë. Kjo të paktën derisa çështja të zhvillohet në gjykatë, ku dhe ai ka çuar vendimet e Kuvendit të Berishës dhe disa figura mbështetëse të tij.”, shprehet Nina.
Nina krejt në fund e cilëson situatën në PD si më të komplikuarën që nga themelimi i saj. Sipas tij, Berisha ka arritur të rikthej mbështetjen popullore, por Basha qëndron mirë me legalitetin e tij në krye të PD-së
“Situata në PD është e paqartë – më e paqarta në historinë e saj – dhe është e vështirë të thuhet se si çështja zhvillohet aty, pasi ngjarjet përditësohen jo më me ditë, por me orë. Si Basha dhe Berisha, bëjnë lëvizjet e tyre të caktuara. Në opinionin tim, ka dy rrafshe zhvillimore. Berisha ka arritur të rikthejë në vëmendje mbështetjen e madhe që ai gëzon. Nga ana tjetër, Basha është stabël në strukturën e tij statutore brenda PD-së dhe ka gjithë forcën drejtuese të partisë. Zhvillimet e protestës së sotme, do të jenë më domethënëse për vetë PD-në, se sa për figura si Vuçiç apo Rama.”, tha Nina në fund.
Ndërkohë, Berisha ka vazhduar edhe sot të bëjë thirrje për protestën e orës 16:00 e cila është planifikuar të fillojë nga selia blu dhe të vazhdojë drejt kryeministrisë.