Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se dy shtetas kosovarë janë në mesin e të riatdhesuarve nga zonat e konfliktit në Siri, përcjell KosovaPost.
Ishte Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë që dha lajmin për kthimin e 13 shqiptarëve përmes Aeroportit të Prishtinës, pasi institucionet në Kosovë refuzuan të përgjigjeshin në interesimin e gazetarëve në lidhje me këtë çështje.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë sot kthyem dy shtetas tanë nga zonat e konfliktit në Siri. Kjo është vazhdimësi e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për rikthimin dhe riintegrimin e qytetarëve tanë që ka filluar nga viti 2019”, ka shkruar ministri Sveçla në ‘Facebook’.
Ai tha se është i lumtur që Kosova është shtet lider global në luftën kundër terrorizmit duke zbatuar kështu me përgjegjësi të lartë obligimet tona si shtet anëtar i Koalicionit Global kundër ISIS.
“Si institucione do të jemi në gjendje gatishmërie në çdo kohë dhe do të angazhohemi maksimalisht për mirëqenien e qytetarëve tanë por gjithmonë duke pasur parasysh që çdo veprim kundër ligjeve të Republikës së Kosovës dënohet sipas masave që përcaktohen nga ligjet”, tha Sveçla.