Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se ka arrestuar një person, nën dyshimin se ka kryer disa vepra të ndaluara me ligj, raporton Kosova Post.
Sipas komunikatës, bëhet fjalë për një zyrtar të gjendjes civile në Komunën e Pejës.
Kjo është komunikata e plotë:
Sot me datë 10.08.2021 Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) – Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka arrestuar të dyshuarin H.G. viti i lindjes 1958, mashkull kosovar, zyrtar i gjendjes civile në KK Pejë.
DHKEK-u, pas pranimit të informatave fillestare, ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka siguruar dëshmi se i dyshuari i lartcekur, e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile një shtetas të huaj duke mos i përfillur procedurat ligjore të regjistrimit fillestar të një personi në sistemin elektronik të gjendjes civile. I dyshuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e vërtetuar, regjistruar dokumentin me të dhëna të rreme.
Personi i huaj, ishte regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile në KK Pejë në mënyrë të kundërligjshme, kinse është shtetas i Republikës së Kosovës, me këtë rast ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet identifikuese (pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shofer).
I dyshuari H.G. është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës me aktvendim të prokurorit të shtetit dërgohet në mbajtje për 48 orë./KosovaPost/