Gazetarja holandeze me përvojë, Ingeborg Beugel, e cila akuzoi kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, se gënjen për kthimin e dhunshëm të migrantëve, ka bërë të ditur se planifikon të braktisë Greqinë për arsye të sigurisë, transmeton Kosova Post.
“Jam e kërcënuar nga mediat pro-qeveritare dhe fraksionet e ekstremit të djathtë”, tha Beugel për portalin holandez NU, shkruan AA.
Ajo shtoi se Mitsotakis nuk ishte mësuar me pyetje të drejtpërdrejta dhe u përgjigj në një mënyrë shumë autoritare.
“Ai mendoi se kishte arritur t’u mbyll gojën gazetarëve për dy vitet e fundit”, tha Beugel.
Ajo theksoi se madje i ishte nënshtruar kërcënimeve fizike si rezultat i një fushate sistematike të urrejtjes.
“Kur isha duke ecur në shtëpi në një rrugë të pandriçuar, një burrë më hodhi një gur në kokë. Më quajti spiun turk dhe më tha të shkoja te (presidenti turk Recep Tayyip) Erdoğan. Ai më goditi në ballë me një gur, kështu që vrapova në shtëpi shumë shpejt. Ishte një shok”, tregoi gazetarja.
Beugel megjithatë përmendi se fitoi simpatinë e qytetarëve të thjeshtë në Greqi, të cilët shprehën mbështetjen për gazetarinë e saj.
Duke theksuar se autoritetet greke nuk i ofruan asnjë lloj mbrojtjeje nga kërcënimet, Beugel tha se Unioni i Gazetarëve Holandez (NJV) ishte konsultuar me Ministrinë holandeze të Punëve të Jashtme për sigurinë e saj në Greqi.
Prandaj ajo u këshillua të largohej nga Greqia sa më parë.
Beugel dje mori pjesë në demonstratat në Athinë për të shënuar 48-vjetorin e kryengritjes studentore në Politeknikun e Athinës, e cila hapi rrugën për rënien e juntës ushtarake greke një vit më vonë.
Për AA, mbrëmë ajo përsëriti se ishte shënjestër e një fushate urrejtjeje intensive, duke konfirmuar se Ministria holandeze e Punëve të Jashtme, ambasada holandeze në Athinë, NJV-ja dhe fëmijët e saj e kishin këshilluar të largohej nga Greqia.
Në këtë drejtim, Reporterët pa Kufij (RSF) dënoi ashpër sulmin ndaj gazetares dhe u bëri thirrje autoriteteve greke të identifikojnë autorin.
“Është e padurueshme që një gazetar duhet të largohet nga një vend i BE-së pas një sulmi verbal dhe fizik”, tha RSF.
Në konferencën e 9 nëntorit, Beugel paraqiti prova të shtypjes së paligjshme të migrantëve nga Greqia.
“Pse po gënjeni për kthimin e dhunshëm të migrantëve. Kryeministër Mitsotakis, kur më në fund do të ndaloni së gënjyeri. Të gënjeni për represionin, duke gënjyer për atë që po ndodh me refugjatët në Greqi?”, e pyeti Beugel kryeministrin grek gjatë një konference për media në Athinë me homologun e tij holandez, Mark Rutte.
Mitsotakis hodhi poshtë akuzat dhe tha se nuk mund të pranojë “ofendimin e tij dhe popullit grek”.