Shukri Luta nga Kaçaniku, ka vendosur t’i futet garës për kryetar të kësaj komune, si i pavarur, pasi kryesia e Vetëvendosjes vendosi për një tjetër kandidat, shkruan Kosova Post.
Në reagimin e tij publik, vendimin e kryesisë e ka cilësuar si arbitrar:
“Më datë 12.8.2021, kjo Kryesi na e paska njoftuar Qendrën në Kaçanik se kandidatura ime na qenka hedhur poshtë pa hezitim ndërsa qenka miratuar edhe de jure ajo e z. J. Raka – të cilën kandidaturë e votuan vetëm sa për sy e faqe shumica absolute e anëtarëve të Grupit!”
Sipas tij, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve, ka qenë larg standardeve demokratike:
“Duke qenë se ky proces fund-e-krye është shoqëruar me parregullsi të mëdha, si: mungesë transparence, imponime dhe montime të caktuara, duke mos përfillur edhe asnjë ankesë të paraqitur sado të arsyeshme e me vend, me ç’rast demokracia e brendshme përdorej vetëm si mbështjellje e jashtme e diktatit të brendshëm nga lartë, atëherë unë jo vetëm që nuk mund ta pranoj këtë vendim por njëkohësisht REAGOJ/PROTESTOJ kundër kësaj logjike që manifeston këtë qasje anti-demokratike dhe njëherit joetike.”
Ky është postimi i plotë i tij:
REAGIM PUBLIK
Kundrejt veprimeve imponuese të Kryesisë së LVV në Prishtinë;
Siç e kam bërë publike qe sa kohë, unë, Shukri Luta, pata vendosur kandidaturën time për Kryetar Komune nga radhët e LVV në Kaçanik. Sipas udhëzimeve, për të formalizuar këtë kandidaturë, mora edhe nënshkrimet e mjaftueshme në Grupin Punues të Qendrës, ndonëse me mjaft vështirësi për shkak se ky Grup është formuar jo vetëm në shpërputhje me çdo princip të përfaqësimit demokratik por edhe për të qenë kryekëput në shërbim të një njeriu të cilit Kryesia në Prishtinë përfundimisht ia arriti t’ia sigurojë pozitën e kandidatit dhe atë pa asnjë kundërkandidat!
Më datë 12.8.2021, kjo Kryesi na e paska njoftuar Qendrën në Kaçanik se kandidatura ime na qenka hedhur poshtë pa hezitim ndërsa qenka miratuar edhe de jure ajo e z. J. Raka – të cilën kandidaturë e votuan vetëm sa për sy e faqe shumica absolute e anëtarëve të Grupit!
Kryesia në Prishtinë nuk ka marrë mundin të jep asnjë shpjegim, as me gojë e as me shkrim, për mëkatet e mveshura personit tim për shkak të të cillave kandidatura ime na qenka hedhur poshtë që më parë pa iu dhënë mundësia anëtarëve të grupit për ta shqyrtuar, kur dihej se pa më të voglin dyshim që unë do të mbivotohesha për shkak të terrenit të trasuar kohë më parë, duke patur në Grup persona selektivë, që për përfaqësim të denjë assesi nuk mund të bëhet fjalë!
Duke qenë se ky proces fund-e-krye është shoqëruar me parregullsi të mëdha, si: mungesë transparence, imponime dhe montime të caktuara, duke mos përfillur edhe asnjë ankesë të paraqitur sado të arsyeshme e me vend, me ç’rast demokracia e brendshme përdorej vetëm si mbështjellje e jashtme e diktatit të brendshëm nga lartë, atëherë unë jo vetëm që nuk mund ta pranoj këtë vendim por njëkohësisht REAGOJ/PROTESTOJ kundër kësaj logjike që manifeston këtë qasje anti-demokratike dhe njëherit joetike.
Kur këto manipulime ndodhin akoma pa u vendosur mirë në pushtet, atëherë mos është koha të ngrehim pyetjen vallë çfarë krejt do të mund të bëjnë ky soj njerëzish pasi të instalohen rrënjësisht edhe nëpër nivele vendore dhe qarqe komunale e t’i kenë marrë plotësisht frenat e pushtetit në dorë?!
Reagimi im protestues vjen më tepër si keqardhje ndaj këtij vendimi arbitrar dhe kësaj qasje favorizuese për shkak se na e hoqi që në fillesë mundësinë jo vetëm mua si kandidat zyrtar dhe atyre pak anëtarëve të Grupit si dhe anëtarëve të Qendrës së LVV për të votuar për kandidatin e tyre të preferuar, por dhe më në fund një pjese të madhe të qytetarëve të Kaçanikut, duke mos iu lënë më shumë mundësi zgjedhjeje!
Me qenë se ma mbyllën derën në këtë mënyrë, sa befasisht aq edhe pabesisht, që së pakti t’iu nënshtrohem procesit të brendshëm zgjedhor demokratik, andaj si rrjedhojë, Unë, në konsultim me anëtarësinë e gjerë mbështetëse ithtarë për ndryshime pozitive, mora vendim sado të vështirë për personin tim që në këto rrethana shtrënguese të kandidohem për kryetar të Kaçanikut si kandidat i pavarur vetëm e vetëm që vullneti i juaj i zëshëm për ndryshim të gjejë shprehje dhe zbatim, gjegjësisht vota juaj ta bëjë efektin e dëshiruar shpresëdhënës të cilin shumica e qytetarëve me aq ngulm janë duke e kërkuar.