Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia është duke shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të termocentralit bërthamor dhe se është duke u konsultuar me Korporatën Shtetërore Ruse të Energjisë Atomike “Rosatom”, transmeton Kosova Post.
Në një intervistë për kanalin YouTube Soloviev Live, Vuçiq tha se Serbia nuk e kishte menduar më parë, por se tani ka filluar të mendojë seriozisht.
Ai ka thënë se ka problem me financimin sepse, siç tha ai, një termocentral i madh bërthamor kushton mbi 10 miliardë dollarë dhe se Serbia ka vendosur që borxhi i saj shtetëror të jetë gjithmonë nën 60 për qind.
“Ne kurrë nuk duhet të rrezikojmë të ardhmen e fëmijëve tanë për shkak të borxhit të madh shtetëror”, theksoi Vuçiq.
Presidenti i Serbisë tha se me Rosatom-in po diskutohen shumë çështje.
“Të shohim se si do të shkojë, por ne kemi nevojë për konsultime shtesë me partnerët tanë rusë, se si të punojmë në të ardhmen”, tha Vuçiq.sh.o./Kosova Post/