Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk është kampioni i ri i botës në peshën e rëndë.
Ai mposhti me vendim unanim të gjyqtarëve britanikun Anthony Joshua (117-112, 116-112, 115-113) duke i “rrëmbyer” titujt kampionë të kësaj peshe në kategoritë IBF, WBA e WBO.
Një humbje e papritur kjo për Joshua, e dyta në karrierën e tij (ka edhe 24 fitore), që përballë 70 mijë fansave në Londër (në stadiumin e Tottenham), nuk arriti të mbrojë titujt kampionë. Kjo është hera e dytë që ai i dorëzon ato, këtë herë ndaj Usyk, që e meritoi fitoren. Ukrainasi e dominoi sfidën në shumicën e raundeve, duke qenë më agresiv, lëvizte më shumë në ring, mbrohej mjaft mirë dhe e vuri mjaft në vështirësi Joshua, që u lodh shpejt.
Ky i fundit e goditi shumë pak Usyk, që dukej më në formë dhe tregoi aftësi të mira. /TS/