Astronautët e NASA-s në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës më në fund kanë shijuar specat e parë djegës që kanë rritur në hapësirë për katër muajt e fundit.
Ata jo vetëm që kultivuan specat e parë djegës por i konsumuan në taco. Astronautja Megan MacArthur bëri ato që i quajti si “tacot e mia më të mira hapësinore” duke përdorur disa nga specat, pak mish lope dhe domate.
Por përtej argëtimit, astronautëve iu desh të regjistronin përvojën e tyre pasi tacot ishin pjesë e një eksperimenti më të gjerë. NASA tha më herët se eksperimenti synon të eksplorojë mënyra për rritjen e produkteve për misionet hapësinore më afatgjata. Astronautët mbollën farat në një habitat të avancuar bimësh, një kabinë zhvillimi e pajisur me më shumë se 180 sensorë dhe drita LED.
Ekipi në Qendrën Hapësinore Kennedy mbolli specat pothuajse në të njëjtat kushte në Tokë për të parë nëse mikrograviteti dhe faktorë të tjerë në hapësirë ndikuan në rritjen e tyre.