Shkencëtarët kanë zbuluar se vitet e fundit, ndotja e dritës ka çuar në rënie “alarmante” të dukshmërisë së insekteve, transmeton Kosova Post.
Sipas një lajmi në BBC, thuhet se në një studim të zhvilluar në Britani të Madhe është zbuluar se llambat e rrugës prishën sjelljen e molave të natës dhe përgjysmuan numrin e vemjeve.
Në studimin e tyre, të botuar në “Science Advances”, studiuesit paralajmëruan se ndotja e dritës mund të ketë efekte të dëmshme në popullatat e insekteve lokale si dhe pasoja negative për shpendët që ushqejnë vemje dhe për speciet tjera.
Gjithashtu thuhet se zgjidhjet praktike që nuk rrezikojnë sigurinë publike, të tilla si zbehja e dritave të rrugëve në orët e para, instalimi i sensorëve të lëvizjes ose përdorimi i filtrave me ngjyra, mund të zvogëlojnë dëmet ekzistuese.
Në hulumtim thuhet se bletët, milingonat dhe brumbujt vdesin tetë herë më shpejt se gjitarët, shpendët ose zvarranikët ndërsa speciet e tjera si mizat e shtëpisë dhe buburrecat mund të shumohen me shpejtësi.
Thuhet se popullsia e insekteve po zvogëlohet për shkak të ndryshimit të klimës, humbjes së habitatit natyror dhe pesticideve.
Një hulumtim shkencor në vitin 2019 tregoi gjithashtu një rënie serioze të numrit të insekteve në të gjithë botën.
Insektet janë një burim ushqimi për shumë shpendë, amfibë, lakuriqë nate dhe zvarranikë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në pllenimin e bimëve. Prandaj, zhdukja e insekteve ka pasoja të mëdha për ekosistemet.aa.