Kryeministri i Shqipërisë është shprehur pesimist dhe ka folur pa ndrojtje para gazetarëve përpara Samitit të krerëve të Bashkimit Europian me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Rama tha se Bullgaria po i mban peng Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke mos shprehur ndonjë optimizëm se BE do t’i hapë negociatat për anëtarësim.
Ai tha po ashtu se vendet tjera të BE-së nuk po bëjnë asgjë tjetër përveçse po vështrojnë.
Kryeministri shtoi se është turp që Bullgaria “rrëmben” 2 vende të NATO-s në mes të luftës që ka shpërthyer në Ukrainë.
“Është turp që Bullgaria rrëmben dy vende të NATO-s në mes të një lufte në Evropë. Viktimë, jo. Nuk do jemi kurrë viktimë sepse e dimë se në këtë rrugë është një Bullgari këtu, një atje. Ne nuk e ndryshojmë rrugën. Duhet të vazhdojmë të ndërtojmë Evropën në shtëpinë tonë. Ballkani i Hapur është përgjigja e vërtetë ndërsa rruga e integrimit do vazhdojë, por shpirti evropian duhet të ndërtohet në rajon. Ballkani i Hapur është i hapur për këdo. Jemi në ulëset e para sepse çdokush duhet të ngasë makinën e vet dhe Shqipëria po bën pjesën e vetë, sepse na e kërkon Brukseli, por mbi të gjitha fëmijët tanë. Maqedonia e Veriut është kandidate prej 17 vitesh, Shqipëria prej 8, kështu që mirëserdhët në Ukrainë. Është gjë e mirë që Ukrainës i jepet statusi kandidat, por ukrainasit të mos krijojë shumë shpresa”, tha Rama.
Procesi i anëtarësimittë Shqipërisë në BE ka ngecur. Një ditë më parë u rrëzua qeveria bullgare, e cila ka vendosur veton ndaj Maqedonisë së Veriut, gjë që i ndalon në rrugën drejt BE-së të dyja vendet.